Tronditëse në Gostivar: Djali dyshohet se vrau babanë, tentoi ta paraqesë si aksident
Një rast i rëndë familjar ka tronditur Gostivarin në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një 34-vjeçar dyshohet se ka vrarë babanë e tij 63-vjeçar brenda shtëpisë.
Sipas njoftimit të MPB-së, rreth orës 01:50, policia ka privuar nga liria M.D. (34), pasi paraprakisht ishte raportuar një rast i dyshimtë vdekjeje në familje. Kur zyrtarët kanë mbërritur në vendngjarje, në shtëpi kanë gjetur pa shenja jete K.D. (63), me lëndime të dukshme në kokë dhe gjurmë dhune që ngritën menjëherë dyshime për vrasje.
Fillimisht, i dyshuari kishte pretenduar se babai i tij kishte ndërruar jetë një ditë më parë si pasojë e një rënieje në banjë, por fakti që rasti nuk ishte raportuar dhe shenjat e dhunës në trup e rrëzuan këtë version.
Pas verifikimeve fillestare, policia ka ndërmarrë masa dhe ka arrestuar djalin si të dyshuar kryesor për krimin.
Prokurori publik është njoftuar dhe hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa pritet ngritja e kallëzimit penal për “vrasje”.
Rasti konsiderohet veçanërisht i rëndë, jo vetëm për natyrën e krimit, por edhe për tentativën e dyshuar për ta maskuar atë si aksident. Gazeta Flaka
















