Vjen i nxehti afrikan në Maqedoni, temperaturat do të arrijnë deri në 40°C
Një valë e fuqishme e të nxehtit afrikan pritet të përfshijë Maqedoninë e Veriut në ditët e ardhshme, duke sjellë temperatura që në disa zona do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti do të mbetet me diell dhe shumë i nxehtë deri në fund të javës së ardhshme, ndërsa periudha më kritike pritet të nisë nga e mërkura, 5 gusht. Temperaturat gjatë fundjavës do të lëvizin deri në 39°C, ndërsa në ditët pasuese pritet të tejkalojnë këtë vlerë.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që kryejnë aktivitet në ambiente të hapura.
Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell nga ora 11:00 deri në 17:00, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Punëtorët e ndërtimtarisë, bujqit, policët e trafikut, korrierët dhe të gjithë ata që punojnë nën diell konsiderohen ndër grupet më të rrezikuara nga temperaturat ekstreme.
Autoritetet rekomandojnë që aktivitetet e përditshme të organizohen në orët e hershme të mëngjesit ose në mbrëmje, ndërsa qytetarët të mbajnë gjithmonë me vete ujë dhe të shmangin qëndrimin në automjete të mbyllura për periudha të gjata.
Meteorologët theksojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, ndaj kërkohet kujdes maksimal dhe respektim i rekomandimeve shëndetësore për të shmangur pasojat e temperaturave ekstreme.
Flaka
















