BDI kërkon sqarim: A ishte vetura e zëvendësdrejtorit Mustafa Dauti pranë të arrestuarit për 17.500 euro ryshfet?
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rrethanat e arrestimit në flagrancë të ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, i dyshuar për marrjen e 17.500 eurove ryshfet.
Sipas BDI-së, në opinion po qarkullon informacioni se në momentin e arrestimit, menjëherë pas veturës së personit të arrestuar, ndodhej edhe vetura e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti.
BDI kërkon që MPB-ja të sqarojë nëse ky informacion është i saktë dhe, nëse po, kush ndodhej në veturën e zëvendësdrejtorit Dauti.
“Përse vetura e zëvendësdrejtorit të Doganave ishte në vendin dhe në momentin e arrestimit?”, pyet BDI-ja.
Partia kërkon gjithashtu të dijë nëse Mustafa Dauti apo personat që ndodheshin në veturën e tij janë marrë në pyetje nga organet kompetente dhe nëse hetimi po shqyrton mundësinë që rasti i 17.500 eurove të lidhet edhe me persona të tjerë në hierarkinë e Drejtorisë së Doganave.
“Kur një zyrtar kapet në flagrancë për një tender, hetimi nuk mund të përfundojë vetëm te personi që ka marrë paratë. Duhet të zbardhet i gjithë zinxhiri: kush e organizoi, kush e dinte dhe kush qëndronte pas tij”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI kërkon nga MPB-ja dhe Prokuroria që të japin përgjigje publike dhe të plota për të gjitha rrethanat e rastit.
Sakaq, Drejtoria Doganore pa të meta dhe ashpër do të luftojë kundër krimit në radhët tona dhe këtë e kemi treguar në këto 26 muaj, theksoi drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me zëvendësdrejtorin e dyshuar të asaj institucioni i cili së fundmi u arrestua për marrje ryshfeti.
Nikollovski paralajmëroi luftë të ashpër dhe sanksionim të të gjithë të punësuarve që do të dyshohen për vepra kriminale.
“Më 14 prill, në ditën e Doganës, në fjalimin tim, dërgova mesazh te të gjithë të punësuarit në Drejtorinë Doganore se pa të meta dhe ashpër do të luftojmë kundër krimit në radhët tona dhe këtë e kemi treguar në këto 26 muaj nga nëpunësit doganorë në shtresat më të ulëta, e ja tani edhe te një nga shtresat më të larta në Doganë. Çdo kush që punon dhe dyshohet se kryen vepra kriminale do të sanksionohet ashpër dhe në këtë kuptim ja ku janë provat. Ne si Drejtori Doganore do të ndërmarrim gjithçka që është e nevojshme dhe në kompetencën tonë, megjithatë këtë procedurë e udhëheq Prokuroria kompetente, policia e kreu arrestimin dhe ne do të presim komunikim dhe do të ndërmarrim masa”, theksoi Nikollovski.
Drejtoria Doganore sot në pikën kufitare Tabanovcë promovoi përfundimin e projekteve të realizuara në kuadër të dokumentit të veprimit “BE kundër krimit të organizuar, me mbështetje për tregtinë”. Gazeta Flaka










