Kërcënoi Mickoskin dhe familjen e tij në rrjetet sociale, 39-vjeçari nga Çerkezi i Kumanovës përfundon nën hetim
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë ndaj një 39-vjeçari nga fshati Çerkez, i dyshuar për veprën penale “Rrezikim i sigurisë”, pasi dyshohet se përmes rrjeteve sociale ka fyer dhe kërcënuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka dërguar mesazhe në rrjetet sociale me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit.
“I dyshuari, përmes mesazheve në rrjetet sociale, e ka fyer dhe kërcënuar Kryeministrin e Qeverisë së RMV-së”, njoftoi Prokuroria Themelore Publike.
Duke vlerësuar rrethanat e rastit, rrezikun e arratisjes dhe faktin se 39-vjeçari dyshohet se ka precedentë të mëparshëm në veprat penale të lidhura me kriminalitetin e dhunshëm, prokurori publik i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit.
Ndërkohë, Mickoski ka konfirmuar se është informuar për kërcënimet ndaj tij dhe familjes së tij, të publikuara në rrjetet sociale.
Kryeministri tha se për rastin ka mësuar një ditë më parë dhe se institucionet kompetente tashmë kanë ndërmarrë masa për garantimin e sigurisë së tij.
Mickoski ka shprehur pritjen që edhe sistemi gjyqësor të veprojë brenda kompetencave të tij dhe në përputhje me ligjin.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa vendimin për masën e paraburgimit pritet ta marrë gjyqtari i procedurës paraprake. Gazeta Flaka










