Maqedonia e Veriut ngjitet në vendin e 68-të në botë për zhvillimin e e-qeverisjes
Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 68-të në botë në Indeksin e Zhvillimit të E-Qeverisjes për vitin 2026 të Kombeve të Bashkuara, duke shënuar përparim prej 16 pozicionesh krahasuar me vitin 2024, kur ishte në vendin e 84-t.
Këtë e bëri të ditur sot ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në një konferencë për media, duke theksuar se ky është pozicionimi më i mirë i vendit që nga viti 2010 dhe rezultati i dytë më i mirë në serinë e vlerësimeve të OKB-së, që nga viti 2003.
Sipas Andonovskit, vlera e indeksit të Maqedonisë së Veriut është rritur nga rreth 70 në 78 pikë, që paraqet rritjen më të madhe në rajon në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2026.
Me këtë rezultat, vendi është përfshirë në grupin e shteteve me nivel shumë të lartë të zhvillimit të e-qeverisjes. Maqedonia e Veriut është njëra nga pesë shtetet evropiane që kanë kaluar në këtë kategori gjatë matjes së fundit, nga gjithsej 11 shtete në nivel botëror.
Andonovski theksoi se përparim është shënuar në të gjithë komponentët kryesorë të vlerësimit. Rritja më e madhe është regjistruar te kapitali njerëzor, ku vlerësimi është përmirësuar nga 0,70 në 0,79 pikë. Rezultate më të mira janë arritur në edukimin për përdorimin e shërbimeve elektronike, ndërsa mbeten sfida në zhvillimin e aftësive më të gjera digjitale.
Ndërkohë, pjesëmarrja elektronike e qytetarëve është rritur nga 57 për qind në vitin 2024 në 65 për qind në vitin 2026.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministri bëri të ditur se në portalin kombëtar uslugi.gov.mk aktualisht janë në dispozicion 350 shërbime, prej të cilave një pjesë ofrohen plotësisht në mënyrë elektronike, ndërsa të tjerat janë informuese.
Në periudhën e ardhshme pritet të shtohen rreth dhjetë shërbime nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe rreth 30 nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, me synimin që deri në fund të vitit të digjitalizohet një pjesë e konsiderueshme e tyre.
Për vitin e ardhshëm është paralajmëruar edhe hapja e një formulari online në portalin uslugi.gov.mk, përmes të cilit qytetarët do të mund të propozojnë se cilat shërbime duhet të digjitalizohen.
Sa i përket zhvillimit të aftësive digjitale, Andonovski njoftoi se do të vazhdojë projekti në shkollat fillore. Për qytetarët e moshuar planifikohet një fushatë në terren dhe takime në klubet e pensionistëve në mbarë vendin, në bashkëpunim me Ministrinë e Politikës Sociale. Fushata do të përfshijë përdorimin e shërbimeve digjitale, shërbimeve bankare dhe rrjeteve sociale.
Për vlerësimin e ardhshëm të OKB-së në vitin 2028, ministri shprehu pritshmëri që Maqedonia e Veriut të përparojë edhe për 20 deri në 30 pozicione, përmes përmirësimit të lidhjes digjitale, infrastrukturës telekomunikuese, aftësive të qytetarëve dhe përdorimit të shërbimeve të reja digjitale.
Flaka















