Hungaria tërheq veton ndaj Ukrainës, hapet rruga për negociatat e anëtarësimit në BE edhe për Moldavinë
Hungaria pritet të tërheqë sot kundërshtimet e saj për dy grup-kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Ky vendim hap rrugën që si Kievi, ashtu edhe Kishinjevi, të nisin negociatat për të gjithë kapitujt e anëtarësimit në BE, transmeton „Euronews“.
Dy burime diplomatike kanë konfirmuar se Hungaria synon të heqë veton për hapjen e dy grup-kapitujve të fundit me Ukrainën gjatë takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Lëvizja ishte paralajmëruar nga András Bíró-Nagy, sekretar shtetëror hungarez për çështjet evropiane, gjatë diskutimeve për zgjerimin, të cilat i paraprinë mbledhjes së djeshme të Këshillit për Çështje të Përgjithshme në Bruksel.
Budapesti për një kohë të gjatë kishte bllokuar procesin e anëtarësimit të Ukrainës, duke penguar hapjen e grup-kapitujve negociues. Si pasojë, vetoja hungareze kishte ndalur edhe përparimin e Moldavisë, pasi proceset e anëtarësimit të të dy vendeve janë të ndërlidhura.
Qëndrimi i Hungarisë ndryshoi pas kalimit të pushtetit nga Viktor Orbán, i cili qeverisi për 16 vjet, te Peter Magyar. Grupi i parë negociues u hap në qershor, i dyti në korrik, ndërsa dy grupet pasuese në tetor.
Muajin e kaluar, Kievi dhe Budapesti arritën marrëveshje lidhur me të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainën perëndimore. Marrëveshja më pas u ratifikua nga Parlamenti ukrainas, duke i hapur rrugë qeverisë hungareze të kalojë në hapin e ardhshëm, megjithëse hapja e dy grup-kapitujve të fundit u shty edhe për disa javë.
Për shkak të retorikës shumëvjeçare kundër Ukrainës gjatë qeverisjes së Orbánit, ndryshimi i këtij qëndrimi është bërë çështje politikisht e ndjeshme edhe në skenën e brendshme hungareze.
Ndërkohë, Magyar dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilluan takimin e tyre të parë dypalësh më 16 tetor në Bruksel, në margjinat e samitit të Këshillit Evropian. Takimi u konsiderua një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Me tërheqjen e kundërshtimeve hungareze, Ukraina dhe Moldavia pritet të kenë mundësi të përparojnë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.















