Ali Ahmeti merr pjesë në ndarjen e titullit Doctor Honoris Causa për Abdylmenaf Bexhetin
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), ku akademikut Abdylmenaf Bexheti i është ndarë titulli i nderit Doctor Honoris Causa.
Përmes një reagimi publik, Ahmeti e ka vlerësuar 25-vjetorin e UEJL-së si një moment të rëndësishëm për zhvillimin akademik, institucional dhe shoqëror.
“Një çerek shekulli i UEJL-së përfaqëson një histori të rëndësishme të zhvillimit akademik, institucional dhe shoqëror, si dhe një kontribut të çmuar në avancimin e arsimit të lartë dhe krijimin e gjeneratave të reja të profesionistëve”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se Universiteti i Evropës Juglindore dëshmon rëndësinë e vizionit dhe investimit në dije.
“Universiteti i Evropës Juglindore është dëshmi se vizioni, investimi në dije dhe përkushtimi institucional mund të krijojnë vlera të qëndrueshme për shoqërinë tonë”, është shprehur Ahmeti.
Në fund, lideri i BDI-së i ka përcjellë urimet akademikut Bexheti për titullin e marrë, ndërsa UEJL-së i ka dëshiruar suksese të mëtejshme dhe zhvillim të qëndrueshëm akademik. Flaka















