Kosovë, opozita kritikon kabinetin qeveritar për ikje të përgjegjësisë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 12:27

Kosovë, opozita kritikon kabinetin qeveritar për ikje të përgjegjësisë

Për shkak të mospjesëmarrjes së kabinetit qeveritar në seancën parlamentare, deputetët e opozitës kanë kërkuar shtyrjen e saj. Në këtë seancë, ku në rend dite ishin vetëm pyetjet parlamentare, munguan shumica e ministrave, gjë që bëri të reagonte opozita.

Në këtë seancë në rend dite ishte vetëm pika “pyetje parlamentare”, teksa në sallë ishin vetëm 15 deputetë dhe një ministër.

Edhe pse deputetët e pranishëm të opozitës kërkuan që seanca të mos fillojë, nënkryetarja e kuvendit, Saranda Bogujevci e ka nisi seancën.

Megjithatë, shumica e deputetëve nuk i parashtruan pyetjet e tyre të planifikuara në mungesë të kryeministrit dhe ministrave.

Besnik Tahiri nga AAK, ka kritikuar kabinetin qeveritar për “injorim total të Kuvendit”.

“Ne menjëherë e lëshojmë këtë seancë. Nuk rrimë më. Le të dihet që Qeveria nuk i jep llogari këtij Kuvendi”, ka thënë ai.

Në sallë më pas krahas ministrit të Bujqësisë, Faton Peci janë paraqitur edhe ai i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Pas kritikave të deputetëve, nënkryetarja Bogujevci ka insistuar se “sipas shumicës së të dhënave një pjesë e madhe e deputetëve nuk kanë qenë aty për të bërë pyetje”.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka ngritur shqetësimin për mungesë të deputetëve. “Në radhë të parë duhet të ngritët shqetësimi për mungesën e deputetëve sepse mungesa jonë  pakrahasimisht është më e madhe”, ka theksuar ai.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 12:27