Ikja e mjekëve, trend rajonal

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Prill, 2024 18:59

Ikja e mjekëve, trend rajonal

Asistentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës tashmë një kohë bojkotojnë mësimi për shkak të mos pagesës. Ata kanë protestuar para rektoratit duke kërkuar që të paguhen mjetet që nuk janë paguar për tre semestra. Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli ka thënë se universiteti askujt nuk do të mbetet borxh

Në nivel vjetor rreth 250 mjekë e lëshojnë vendin. Ky fenohem më shumë është theksuar viteve të fundit, kur pjesa dërmuese e mjekëve është duke braktisur Maqedoninë e Veriut për pagë dhe jetë më të mirë në shtetet e zhvilluara. Kjo ka bërë që të rritet shqetësimi edhe tek popullata se në të ardhmen mund të mbeten pa shërbime mjekësore. Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri, duke uruar mjekët në ditën ndërkombëtare të Shëndetësisë, pret që nga viti në vit mjekët të kenë standard më të lartë që të mund të ofrojnë shërbime më cilësore. Ai thotë se shëndetësia është në nivel funksional por ka vend për përmirësime. “Migrimi ekonomik nuk mund të ndalet as në Gjermani as në Zvicër. Vetëm dua të bëj një krahasim në vitin 2016 të ardhurat e mjekëve si kanë qenë, sa ka qenë kujdestaria dhe sa është sot.Duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi bërë. Nuk do të thotë se mjafton. Tendenca vazhdon, me siguri do të ketë rritje më të madhe vitet në vijim. Kjo varet nga eurointegrimeve, sa do të mund të integrohemi dhe sa do të mund të thithim mjete nga Bashkimi Evropian” tha ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri.

Dekani i fakultetit të mjekësisë në Universitetin e Tetovës Nevzat Elezi, thotë se është një trend në të gjitha shtetet largimi i mjekëve.

“Gjithandej është prezent ky problem, edhe Mali i Zi,Serbia, Kosova , Shqipëria. Të gjithë të njëjtin e kanë këtë problem me shpërnguljen e mjekëve jashtë vendit. Nuk është vetëm çështja financiare ose diçka që bëhet ndonjë padrejtësi. Në Kroaci, Slloveni, Serbi rrogat ishin të majme për mjekët, mirëpo si duket është një trend ku mjekët shohin një jetë më të mirë, perspektivë më të mirë të tyre dhe normal krahas rrogës shihet edhe mënyra e jetesës së tyre. Pra, nuk është vetëm çështja ekonomike, por është edhe çështja socio-ekonomike,ku mjekët shohin një jetë më të mirë për ata dhe familjet e tyre”, thotë Elezi.

Nga ana tjetër, asistentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Tetovës tashmë një kohë bojkotojnë mësimi për shkak të mos pagesës. Ata kanë protestuar para rektoratit duke kërkuar që të paguhen mjetet që nuk janë paguar për tre semestra. Rektori i Universitetit të Tetovës Jusuf Zejneli, ka thënë se universiteti askujt nuk do të mbetet borxh. Ai këto komente i ka bërë gjatë një panel diskutimi që u mbajt në kuadër të Fakultetit të Shkencave Mjekësore.

“Nga dita e parë që e kam marrë mandatin, një nga angazhimet e mia ka qenë krijimi i gjendjes sa më stabile financiare në universitet. Kjo është arritur edhe përmes themelimit të sindikatës, sindikatat patën angazhimet e tyre, kishin protesta, dhe tash pagat e profesorëve janë rritur për 22 për qind dhe gradualisht kjo krijon një gjendje më të mirë, që do të thotë se kanë filluar të realizohen edhe pagesat edhe për profesorët Part Time dhe shumë shpejt edhe kjo pjesë do të mbulohet në tërësi dhe besoj se institucioni nuk do të mbetet borxh askujt dhe do të shkojë gjithçka mirë”, tha rektori Jusuf Zejneli.

Me rastin e Ditës së Shëndetësisë, Sindikata e Pavarur e Mjekëve ka protestuar me kërkesë për kushte më të mira të punës në institucionet publike shëndetësore në mbarë Maqedoninë. Një pjesë e punëtorëve të Spitalit klinik të Tetovës dhe Shtëpisë së Shëndetit, të cilët janë anëtarë të sindikatës, kanë protestuar në Tetovë. Sindikata e Pavarur ka theksuar një sërë problemesh që kanë të bënë me shëndetësinë, në mesin e tyre edhe mungesa e kuadrit mjekësor. Poashtu është kërkuar, që punësimet të bëhen në mënyrë joselektive, të ketë avancime dhe plotësime të vendeve të punës, rregullim të pagës sipas Ligjit për pagë minimale me qëllim që të ndalet largimi i mjekëve. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 8 Prill, 2024 18:59