Kosova pranon pesë kamionë ushtarakë donacion nga Gjermania

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 11 Prill, 2024 17:55

Kosova pranon pesë kamionë ushtarakë donacion nga Gjermania

Kosova ka pranuar pesë kamionë ushtarakë në vlerë rreth tre milionë euro si mbështetje nga Gjermania. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se kjo ndihmë do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kosova i ka shtuar përpjekjet për të blerë armatim dhe pajisje të tjera këtë vit. Në fillim të janarit, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Forca e Sigurisë e Kosovës aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë, numër i cili pritet të rritet në më shumë se 7500.

“Donacioni do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të FSK-së. Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol të jashtëzakonshëm ka luajtur partneri ynë strategjik, Republika Federale e Gjermanisë. Prandaj jemi shumë mirënjohës. 2,7 milionë euro që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3 milionë e 500 mijë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë”, tha Ejup Maqedonci, ministër i mbrojtjes së Kosovës. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 11 Prill, 2024 17:55