Maqedonia si fushëbetejë e interesave politike të Ramës dhe Kurtit

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 12 Prill, 2024 19:08

Maqedonia si fushëbetejë e interesave politike të Ramës dhe Kurtit

Pse ndërhyrja e Tiranës dhe Prishtinës në zgjedhjet parlamentare e presidenciale nuk i shërben Maqedonisë së Veriut?

Nga Marjana DODA

Maqedonia e Veriut, është kthyer në fushëbetejë politike midis kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti duke u përfshirë në zgjedhjet e dyfishta, ato parlamentare dhe presidenciale në vend. Kjo ndërhyrje e kryeministrave shqiptarë të rajonit rrezikon pikërisht faktorin politik shqiptar, që padiskutim është katalizator i stabilitetit politik përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme të Maqedonisë së Veriut. Pikëpyetje të mëdha lindin ndërsa shohim një ambicie panshqiptare të dy kryeministrave Rama dhe Kurti për ndikim apo dominim politik në hapësirën shqiptare. Duket se Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama në Shqipëri dhe Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti në Kosovë janë në një garë të ethshme për pushtet përtej kufijve në Maqedoni por dhe në Mal të Zi. Megjithatë, më e theksuar mbetet Maqedonia e Veriut.

Kryeministri Edi Rama ka luajtur karten e ndërmjetësimit mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut në një moment kyç ku vërtet rrezikohej destabiliteti i vendit, në mënyrë të veçantë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Në atë kohë, “Platforma e Tiranës” ishte një akt i domosdoshëm që uli në tavolinë të gjitha palët, për të krijuar qeverinë e stabilitetit në Shkup.

Ndërsa sot, sa i përket ndërhyrjes së Kurtit në zgjedhjet politike në RMV, duhet thënë se ana pozitive e angazhimit të Albin Kurtit në këto zgjedhje, ishte bashkimi i opozitës shqiptare në një bllok të vetëm. Kjo do të forcojë padiskutim partitë shqiptare duke garantuar më shumë deputetë shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë. Por a është ky qëllimi i kryeministrit Kurti? Vështirë të thuhet se ky është misioni politik i Kurtit në Maqedoninë e Veriut. Në fakt, kjo lëvizje ka si qëllim krijimin e një fronti të përbashkët kundër nismës Ballkani i Hapur, iniciuar nga Rama, Zaevi, dhe Vuçiçi. Një nismë që ndonëse u zbeh pas riaktivizimit të “Procesit të Berlinit”, frymon ende në Beograd-Tiranë dhe Shkup. Albin Kurti ka mbetur vetëm në rajon përballë Vuçiçit dhe me të drejtë kërkon të ndërtojë aleanca mes shqiptarëve në rajon.Por kjo përballje nuk është vetem ndaj presidentit serb, Vuçiç, por dhe ndaj kryeministrit Rama, i cili ky i fundit nuk ia ka bërë të lehtë qeverisjen Kurtit.

Një rivalitet i hapur mes tyre është lexuar jo vetëm në Prishtinë e Tiranë, por dhe në korridoret e institucioneve ndërkombëtare. Ndërsa sot shohim zgjatim të këtij rivaliteti edhe në Shkup, ku për herë të pare po ndihet një beteje e ashpër politike mes dy blloqeve shqiptare. Pra një nga qëllimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut është rrëzimi nga pushteti i partisë shqiptare – Bashkimi Demokratik për Integrim i udhëhequr nga Ali Ahmeti, mbështetës i ideve të Edi Ramës për të sjellë në pushtet partitë opozitare me të cilat Kurti bashkëpunon.

Vetë Ali Ahmeti, në një intervistë për median shqiptare Top Channel në janar të këtij viti, duke iu referuar raporteve të dy kryeministrave, Edi Ramës dhe Albin Kurtit, me partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, theksoi: “Edi Rama asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të organizimit politik në Maqedoni [të Veriut]. Përherë ka bërë përpjekje për t’i afruar partitë politike në Maqedoninë [e Veriut] dhe unë sigurisht që i jam falënderues dhe mirënjohës… Por, ka ndodhur rasti për zgjedhjet presidenciale, kur zoti Kurti mbajti anë”. Megjithatë në këtë artikull do të shohim qartë se edhe Tirana zyrtare dhe Kryeminsitri Edi Rama po ndërhynë në këto zgjedhje duke përkrahur drejtpërdrejtë Ali Ahmetin dhe partinë BDI.

NDASITË POLITIKE RAMA-KURTI

Shembulli se si ndërhyrje të tilla të jashtme qoftë dhe mes shqiptarësh janë tejet të rrezikshme, janë konkretisht marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, ku përtej faktit që jemi një komb, përpos lidhjeve politike, ekonomike e social-kulturore, vitet e fundit ka pasur akuza për ndërhyrje në punët e brendshme si të qeverisë së Tiranës, ashtu edhe të asaj të Prishtinës. Pra, akuzat kanë qenë të ndërsjella. Përplasjet verbale mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama janë të njohura dhe kanë një linje konsistente përgjatë pesë viteve të fundit.

Janë disa qëndrime të kryeministrit Rama që janë kritikuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës – duke filluar nga mbështetja e tij për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nisma Ballkani i Hapur e deri te paraqitja e një draft-propozimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Viti 2018 ishte pikërisht viti që nxori në pah ndarjet politike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në verën e vitit 2018, mekanizma të ndryshëm shpërfaqën idenë e “korrigjimit” apo “përcaktimit” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Kurti, asokohe, e kritikoi Ramën për mbështetjen e kësaj ideje. Ideja e ndryshimit të kufijve nga Hashim Thaçi dhe mbështetja e Edi Ramës për këtë marrëveshje, tronditi marrëdhëniet mes shqiptarëve këtej dhe matanë kufirit. Kjo solli akuza për tradhëti kombëtare, dhe u bë më e zëshme aleanca e opozitës në Shqipëri me atë në Kosovë, pra aleanca Berisha – Kurti. Por e menjëhershme ishte dhe “hakmarrja” e Kurtit ndaj Ramës.

Në dhjetor të po atij viti, Kurti mbështeti protestat e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri, që kundërshtonin tarifat e larta të shkollimit dhe kërkonin cilësi më të lartë në arsim. Në protestat e studentëve të viteve 2018-2019, e dyta më e madhe në historinë e Shqipërisë, u akuzua Partia Vetëvendosje në Tiranë, pra partia e Albin Kurtit si nxitëse dhe si dorë e fshehur që lëvizte fijet e protestave studentore që në fakt tronditi seriozisht qeverinë Rama. Pas kësaj në Shqipëri, Lëvizja Vetëvendosje hyri në skenën politike në vitin 2019, ndonëse u regjistrua në gjykatën e Tiranës jo si parti politike, por si një qendër. Në atë kohë u tha se “Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje u ngrit për të rritur vetëdijen dhe angazhimin në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare”.

Por më 25 prill 2021, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, garoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, në tri bashki të Shqipërisë: Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër. Pjesë e fushatës zgjedhore u bë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në fjalimet e tij nëpër këto tri qytete, ai kërkoi mbështetje për “alternativa të reja”, duke theksuar se figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, nuk mund të prodhojnë asgjë të re për qytetarët e Shqipërisë. E pra vija e kuqe që kaloi Albin Kurti janë pikërisht zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë,(2021) ku Kurti, ndonëse kryeministër i sapozgjedhur i Kosovës, votoi në një qendër votimi në Tiranë për partinë e tij “Vetëvendosje”. Në anën tjetër, Kurti ka akuzuar Ramën për ndërhyrje në punët e brendshme të Prishtinës, për shkak të angazhimit të Edi Ramës në dialogun me Serbinë.

Ndërsa projekti Ballkani i Hapur, solli një ndarje të theksuar mes liderëve dhe qeverive Tiranë-Prishtinë. Më 10 tetor të vitit 2019, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut miratuan një deklaratë që çoi drejt marrëveshjes për “Mini-Schengenin” ballkanik, e që më vonë u riemërua si “Ballkan i Hapur”.

Kurti – asokohe kandidat për kryeministër të Kosovës – e kundërshtoi nismën, duke thënë se Rama ka bërë gabim në hapa. Sipas tij, nisma do të duhej të ishte e Kosovës dhe Shqipërisë, për të përfshirë më pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e në fund Serbinë. Kurti dhe Rama i shprehën publikisht edhe mospajtimet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për formimin e të cilit komuniteti ndërkombëtar insiston në vazhdimësi. Rama tha se ka dorëzuar një propozim të draft-statutit të këtij asociacioni te zyrtarët e lartë të BE-së, si dhe te kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe te presidenti francez, Emmanuel Macron – gjë që ngjalli pakënaqësi te Kurti dhe qeveria e Kosovës.

2017- VITI I KRIZËS DHE KTHESA E MADHE MES SHQIPËRISË DHE MAQEDONISË

Por nëse marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë tronditur pesë vitet e fundit, e kundërta ndodhi në marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni e Veriut, ku ka njohur një kthese pozitive pikërisht përgjatë pesë viteve të fundit. Për marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni e Veriut mund të themi shkurtimisht se deri në vitin 2017 divergjencat dhe përplasjet kanë qenë të mëdha. Qeveria shqiptare ishte më e lidhur me partitë politike shqiptare në Maqedoni sesa me qeverinë maqedonase, qoftë VMRO apo LSDM. Ky hendek mes dy vendeve tona ka ndodhur edhe për shkak të paqëndrueshmërisë politike në Shqipëri dhe Maqedoni. Megjithatë, ndasia mes dy vendeve ishte dhe për shkak të ndikimit në të cilen ishte Maqedonia para disa vitesh, jo vetëm nën ndikimin serb, por edhe atë të Lindjes.

Megjithatë, viti 2017 ishte kulmi i krizës, duke pasur parasysh “Platformën e Tiranës” të mbajtur në Shqipëri nën drejtimin e zotit Rama dhe akuzat e VMRO-DPMNE-së për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Kujtojmë se në vitin 2017, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ftoi në Tiranë partitë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut për të biseduar lidhur me zhvillimet e asokohshme në atë shtet dhe për bashkërendimin e mundshëm të veprimeve të partive shqiptare. Partitë shqiptare më pas dolën me një deklaratë, ku, mes tjerash, thanë se “angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni [të Veriut] në popull shtet-formues – me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase – dhe për zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike”.

Gjithashtu, po viti 2017 solli një kthesë të madhe mes dy vendeve tona, pasi me qeverine e re LSDM dhe BDI, Tirana zyrtare do të kishte bashkëpunim më të ngushtë. Në emër të rrugës së përbashkët europiane, bashkëqeverisjes së partisë shqiptare dhe maqedonase, por edhe projektit “Ballkani i Hapur”, dy qeveritë në Shqipëri dhe RMVkanë krijuar më shumë bashkëpunime, memorandume dhe lidhje direkte mes Tiranës zyrtare dhe Shkupit zyrtar. NATO dhe BE janë dy shtylla të forta mbi të cilat mbështeten sot fuqishëm marrëdhëniet tona. Por nuk dihet se si do vijojnë të qëndrojnë këto marrëdhënie pas 8 -majit, duke parë dhe angazhimin e Tiranës zyrtare si mbështetëse e partive politike shqiptare. Por për sa u përket partive politike shqiptare në Maqedoni, ato janë ende një “minëme sahat” dhe “kurdisja” e saj nga jashtë rrezikon destabilitet të thellë jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por dhe në rajon.

Ja pse ndërhyrja e Kurtit dhe e Ramës në këto zgjedhje nuk i shërbejnë partive shqiptare, madje përdorimi i tyre për interesa politike vetjake sjell një dëmtim të parikuperueshëm jo vetëm mes shqiptarëve por gjithashtu mes shqiptarëve dhe maqedonasve, të cilët ende janë në një bashkëjetesë të brishtë.

SHËMBËLLTYRA E EDI RAMËS SHPËRFAQET TË BDI-ja E ALI AHMETIT

Diskursi politik dhe diplomatik i Kryeminsitrit Edi Rama i shoqëruar shpesh herë me folklorizma të tepruara por gjithsesi e ka bërë simpatik përballë ndërkombëtare, ka zgjuar kërshërinë dhe të elementëve më të rëndësishëm politik të BDI-së, si atij të Artan Grubit dhe Bujar Osmanit. Dihet se të dy janë zgjatim i kraheve të Ali Ahmetit.

Edi Rama duket se është kthyer në idhull dhe model për BDI-në aq sa po kopjohet në detaje. Artan Grupi ka marrë përsipër, të argetoje të rinjtë me organizmin e koncerteve të mëdha, për të përthithur kështu jo vetëm të rinjtë, por mbi të gjitha edhe artistët shqiptarë që sikundër në Tiranë janë kthyer në influencer artistiko-politik të Partisë Socialiste në Shqipëri. Mjafton të shohim dhjetra këngëtare që marrin pjesë në koncertet e organizuara nga Bashkia e Tiranës , që më pas kthehen në zëra propagandues në favor të Partisë Sociliste, konkretisht pushtetit të Edi Ramës dhe Erion Veliaj. Artan Grubi, po ndjek me zell këtë frymë artistiko-propaganduese për elektoratin e tij në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo vjen në mungesë te politikave konkrete social-ekonomike për të rinjtë në RMV.

Nga ana tjetër , kemi Bujar Osmanin, i cili si Ministër i Jashtëm i RMV-së pati mundësi të krijonte mbështetjen dhe kontaktet e tij ndërkombëtare që padiskutim e favorizojnë sot jo vetëm brenda partisë së tij politike por dhe përballë kundërshtarëve të tij politik. Por dhe Bujar Osmani sytë i ka te Edi Rama, i cili çdo fundjavë vjen me podkastin e tij si intervistues i aktorëve/faktorëve të ndryshëm të suksesshëm në fusha të ndryshme në Shqipëri e diasporë.

Por nëse kryeministri Rama, e ka nisur aksionin e tij politik si publicist në gazetat e kohës pas viti 1990, dhe është pjesë e tij edhe gazetaria, nuk mund të themi të njëjtën gjë për Bujar Osmanin. Bujar Osmani, megjithëse mjek në profesion zgjodhi të realizojë podkaste, një risi mediatike ku të gjithë duan të bëhen gazetarë, ose me saktë protagonistë. Ali Ahmeti dhe Edi Rama duket se janë dakordësuar për një mbështetje që iu leverdis të dyve. Ali Ahmeti kërkon mbështetjen e Edi Ramës si kryeministër i “Nënës Shqipëri”, ku ku i fundit nuk i ka ka kursyer elozhet për Ali Ahmetin. Muajt e fundit është parë shpesh në TV kombëtare më të mëdha të Shqipërisë, duke i dhënë gjithë hapësirën për të promovuar sukseset e Ali Ahmetit.

Nga ana tjetër edhe Ali Ahmeti i ka kthyer borxhin Edi Ramës, duke e cilësuar si prijës të shqiptarëve sikundër theksoi kohë më parë në Samitin e Tretë të Diasporës. Mos të harrojmë se Ballkani i Hapur është pika kyçe për të cilën Edi Rama i duhej deshpërimisht mbështetja e Ahmetit ndër shqiptarë në rajon. Një pikë e fortë që ndan dhe pikpamjet mes Rames dhe Kurtit. Pra, po dhe Tirana zyrtare po ndërhyn në formë më të sofistikuar në këto zgjedhje të dyfishta në Maqedoninë e Veriut. Ballkani i Hapur, dialogu Prishtinë-Beograd janë vija të kuqe që ndajnë Kurtin me Ramën e që ndan gjithashtu Kurtin me Ahmetin. Duket qartë se mbështetja e shqiptareve si pjesë e bashkëqeverisjes në Maqedoninë e Veriut është thelbësore si për Kurtin por dhe për Ramën.

Por çfarë interesi përbën për vetë shqiptarët dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut kjo ndërhyrje e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare? Në fakt kjo duket beteja e fundit midis Ramës dhe Kurtit dhe Maqedonia e Veriut është thjesht fushëbeteja që po luhet ky akt i fundit i kësaj drame mes vëllezërish.

PSE KJO NDËRHYRJE E TIRANËS DHE PRISHTINËS NUK I SHËRBEN MAQEDONISË SË VERIUT?

Maqedonia e Veriut është ende peng i pretendimeve historike nga ana e Bullgarisë, ndërsa vetë rajoni në tërësi është ende i brishtë. Pa harruar sfondin gjeopolitik i cili po sjell erëra të forta destabilizimi. Kësisoj është emergjente për Maqedoninë e Veriut që këto zgjedhje ti japin drejtimin e duhur vendit. Shqiptarët sot janë shtetformues dhe bashkëqeverisës të këtij shtetit, ndaj në këto rrethana gjeopoltike çdo ndërhyrje nga jashtë qoftë dhe nga Shqipëria e Kosova trondit kredibilitetin e partive poltike përballë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut pa marrë parasysh etninë e tyre. Që këto zgjedhje të parakohshme, të mos prodhojnë qeveri të përkohshme në Maqedoninë e Veriut, si Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të ndalin këtë revansh politik gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Përndryshe Maqedonia e Veriut do të vijojë të mbetet peng i nacionalizmave rajonale duke penguar të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 12 Prill, 2024 19:08