Pa kanaderët për shuarjen e zjarrit do të kemi një verë shumë të nxehtë

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 15 Prill, 2024 21:41

Pa kanaderët për shuarjen e zjarrit do të kemi një verë shumë të nxehtë

A do të ketë shteti kapacitetet për t’u përballur me zjarret e pyjeve këtë vit nëse dihet se DMSH-së i ka mbetur vetëm një pilot i trajnuar për Air traktorët. Tashmë po kërkohet ndihmë nga MPB-ja dhe Ushtria, të cilat kanë helikopterë të pajisur shtesë për shuarje. Sezoni i zjarreve ka nisur shumë më herët se zakonisht, dhjetë janë aktive, ndërsa në Sellcë autoritetet po luftojnë për t’u përballur me flakët prej disa ditësh. Dy helikopterë të MPB-së janë përfshirë në fikjen e zjarrit në afërsi të Sellcës së Tetovës, por edhe ata nuk kanë mundur të ndihmojnë plotësisht dhe janë tërhequr për shkak të erës së fortë, përcjell FLAKA.

Vetëm sot kanë hedhur 50 tonë ujë për të ndaluar zzjarrin që po lëvizte drejt fshatit. Por i vetmi Airtractor për të cilin ka një pilot nuk u ngrit për të ndihmuar në shuarjen.

Drejtori i DMSH-së thotë se shërbimet po plotësohen me personel, por problem do të jetë nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet një zgjidhje kadrore në DMSH.

Dhe ndërsa autoritetet sigurojnë se situata aktualisht po menaxhohet me sukses, DMSH mund të mbetet pa licencë nëse nuk siguron staf. Drejtori i DMSH-së paralajmëroi se sa e rëndë është gjendja, duke pasur parasysh se edhe nëse merren në punë pilotët nuk mund të fillojnë menjëherë punën sipas protokolleve, ata duhet të shkojnë në trajnime të mëtejshme në Spanjë ose në një vend tjetër të autorizuar nga prodhuesi.

Aktualisht janë tre helikopterë të MPB-së dhe dy helikopterë Mi 8/17 të ARM-së, të cilët kanë pajisje për shuarjen e zjarreve. Temperaturat jo tipike të larta janë arsyeja pse zjarret e mëdha pyjore po shpërthejnë në të gjithë rajonin. FLAKA

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 15 Prill, 2024 21:41