“Karton i kuq” nga VMRO DPMNE dhe LSDM për “presidentin e Kuvendit”

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Prill, 2024 09:23

“Karton i kuq” nga VMRO DPMNE dhe LSDM për “presidentin e Kuvendit”

Shkup, 17 prill – BDI-ja tashmë ka shpallur kushtin e saj për mbështetje në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Zëvendëskryeministri dhe zyrtari nga partia në pushtet, Artan Grubi, tha se votat do të shkojnë për partinë politike që do të pranojë zgjedhjen e presidentit në Kuvend, gjë që kërkon ndryshimin e Kushtetutës. I pyetur nëse BDI aktualisht është më afër koalicionit me VMRO-DPMNE apo LSDM, Grubi iu shmang një përgjigjeje konkrete duke thënë se “nga këndvështrimi i sotëm, jemi më afër koalicionit me popullin”. Lidhur me kombinimet e mundshme të koalicionit pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, Grubi tha se BDI së bashku me “Frontin Evropian” synojnë të fitojnë 20 mandate parlamentare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një ofertë e tillë nga partia nga Reçica e Vogël mori “karton të kuq” edhe nga VMRO DPMNE edhe nga LSDM.

Presidenti duhet të zgjidhet nga qytetarët, theksojnë nga “Bihaçka”. E njëjta gjë u pasua nga “Pallati i Bardhë”. “Nuk e pranojmë shantazhin e Artan Grubit”, thanë nga VMRO DPMNE.

Një deklaratë e tillë hap disa dilema, ndër të cilat më e rëndësishmja është nëse partitë maqedonase po përballen me një fakt të kryer dhe nëse kjo i hap hapësirë Presidentit të parë shqiptar të vendit. Disa nga analistët mendojnë se situata me zgjedhjen e presidentit përmes Kuvendit është vetëm një rast për të luftuar partitë politike. Mirëpo, analisti politik dhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Pulsi i Demokracisë” Enver Salihi thekson se është një opsion i mirë që të zgjidhet me shumë më pak mjete dhe mund, duke pasur parasysh rëndësinë e tij ceremoniale.

“Natyrisht, kjo situatë hap një mundësi të re që presidenti i vendit të zgjidhet në Kuvend dhe kërkesa është e njëjtë nga BDI dhe nga koalicioni VLEN, që ushtron presion mbi partitë maqedonase që të pranojnë të njëjtën kërkesë dhe nëse Partitë shqiptare janë të thelluara, atëherë dhe pritet që kjo temë të jetë kusht për formimin e Qeverisë së ardhshme”, thekson Salihi në një bisedë për “Lokalno”, përcjell PRESSonline.al

Ai thekson se zgjedhja e kreut të shtetit nga Kuvendi nuk është shembulli i parë dhe i vetëm në fqinjësinë tonë, por edhe më gjerësisht është pranuar si praktikë për të shmangur shpenzimet për një funksion që, siç thotë ai, nuk është me rëndësi thelbësore.
Megjithatë, fillimisht do të ishte mirë që të vendoset për zgjedhje nga Kuvendi pa kurrfarë kushtëzimi për përkatësinë etnike apo përkatësinë e personit që duhet të zgjidhet në të ardhmen, dhe sigurisht më tej me marrëveshje koalicioni mund të zgjidhet një person i cili është edhe nga kombësi të tjera, vlerëson bashkëbiseduesi.

Salihi pohon se kërkesat e bllokut shqiptar janë pothuajse identike pavarësisht se për cilin koalicion bëhet fjalë, dhe ndoshta çdo hapje e Kushtetutës do të nënkuptojë edhe zgjidhjen e çështjeve që kërkojnë partitë shqiptare.

“Nga sa thash më sipër, pritet një zhvillim i vështirë pas zgjedhjeve parlamentare dhe i vështirë për t’u parashikuar”, sipas analistit.
Mendim të ngjashëm ka edhe politologu Petar Arsovski, i cili thotë se presidenti zgjidhet me më shumë vota se sa Qeveria dhe pothuajse nuk ka asnjë kompetencë. Sipas tij, një mospërputhje e tillë duhet të korrigjohet.

“Ose të rriten kompetencat e Presidentit ose të zvogëlohet legjitimiteti I tij, pra për të thjeshtuar zgjedhjen e tij, për shembull për t’u zgjedhur në Kuvend”, thekson Arsovski në një bisedë për “Lokalno”, përcjell PRESSonline.al

Megjithatë, analisti thekson se çdo ndryshim zgjedhor nuk duhet të ndodhë me shantazh politik, por me një debat të gjerë, konsensus të përbashkët dhe ndërpartiak.

“Pafuqia relative e partive maqedonase (në realitet, atyre u duhen votat e shqiptarëve, dhe kjo është e vetmja arsye pse duhet të diskutojnë për kërkesa të tilla), do të thotë se ato janë të drejtuara për kompromis me të gjithë aleatët politikë. Kështu do të vazhdojë nëse vazhdon trendi i rënies së përkrahjes për partitë në tërësi”, sqaron Arsovski.

Ai thekson se ka edhe një opsion të dytë. “Të zvogëlohet seriozisht cenzusi me të cilin zgjidhet presidenti në rrethin e dytë, sepse 40% është diçka joreale”, përfundon Arsovski.

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Prill, 2024 09:23