Richards: Gjëja e parë që i këshilloj kandidatët politikë është që t’i fshijnë profilet e tyre në rrjetet sociale

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Prill, 2024 09:15

Richards: Gjëja e parë që i këshilloj kandidatët politikë është që t’i fshijnë profilet e tyre në rrjetet sociale

Ka qenë këshilltar i një numri politikanësh dhe biznesmenësh britanikë, këshilltar i ministrave në qeverinë britanike, ka udhëhequr fushata politike, ndërsa tani ai njohuritë e tij i përcjell gjithkund në botë, duke filluar nga shtetet evropiane e deri tek ato afrikane. Bëhet fjalë për Paul Richards, specialist i komunikimit, trajnues, shkrimtar, këshilltar për udhëheqjen e fushatave politike, me shumë dekada përvojë në fushën e asaj që quhet “si duhet të promovohet në publik një person i profilit të lartë “, duke filluar nga intervistat, postimet në rrjetet sociale, deklaratat për gazetarë ose me pak fjalë – prezantimi i një personi apo partie politike para qytetarëve.

Takimi ynë me Richards ndodhi pikërisht kur filloi fushata parazgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Me të u takuam në kuadër të një vizite studimore në Londër, Britani e Madhe, përmes projektit “Ridefinimi i menaxhimit”, të financuar nga UK International Development nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nëpërmjet Ambasadës Britanike në Shkup, e të zbatuar nga Qendra për Menaxhimin me Ndryshimet (QMK).

Richards është autor i librave „Si të jesh spin doktor” dhe “Si të fitoni në zgjedhje”. Në librin e parë ai tregon se të qenit një spin doktor është thjesht një frazë e re për të përshkruar një praktikë shumë të vjetër. Në të ai shpjegon se si të gjitha organizatat, që nga partitë politike e deri te fushatat në komunitet, bizneset e vogla dhe organizatat bamirëse mund të përdorin teknika spin për ta mbrojtur reputacionin e tyre, për t’i përcjellë mesazhet e tyre dhe për ta fituar mbështetjen e publikut. Këto njohuri ai i ka akumuluar duke punuar si këshilltar special i qeverisë britanike, gjatë krizës globale financiare, përmes dorëheqjeve të kabinetit qeveritar.

Por tani, siç thotë ai, e gjithë ajo që është shkruar në libra nuk ka asnjë rëndësi, sepse paraqitja e rrjeteve sociale ka ndryshuar gjithçka.

“Librat tashmë janë diçka e vjetër, Spin doktor u botua në vitin 1999 dhe përmbante tekste për atë se në çfarë letre duhet të shkruhet një deklaratë për shtyp dhe në çfarë zarfi duhet t’u dërgohet gazetarëve. Tani gjëja më e rëndësishme është se si do ta prezantoni veten përmes mediave sociale dhe se si do e dërgoni mesazhin tuaj deri tek njerëzit. Njerëzit tani mesazhet e tyre i pranojnë edhe përmes Instagramit, ndërsa edhe TikTok-u po rritet për sa i përket numrit të përdoruesve, kështu që e gjithë kjo duhet të paketohet mirë, me një foto ose tekst, që të arrijë tek një audiencë të gjerë,” thotë Richards.

Prandaj, sipas tij, gjatë fushatave rrjetet sociale janë ndoshta media më e rëndësishme, por problemi është se në to ka mungesë kontrolli.

“Ndodh që njerëzit të postojnë diçka dhe pastaj të pendohen, por nuk ka më kthim prapa”, thotë ai.

Në pyetjen tonë se çfarë do t’i këshillonte tani kandidatët politikë, nga kjo perspektivë, ai pa hezitim përgjigjet:

“Tani, kur i trajnoj kandidatët, gjëja e parë që u them është që t’i fshijnë profilet e tyre, të dalin nga Twitter-i, sepse kundërshtarët tuaj do të shfletojnë çdo deklaratë që keni bërë, gjithçka që keni shkruar që në kohën kur keni qenë adoleshent”.

Një tjetër këshillë që Richards ua jep rregullisht politikanëve britanikë është që të mos postojnë asgjë në rrjetet sociale të udhëhequr nga emocionet.

“Duhet të ketë një filtrim të asaj që e mendoni dhe asaj që e postoni si status në rrjetet sociale. Kur je gazetar përpara se diçka të publikohet duhen kaluar disa procese, teksti kalon nëpër filtra, por me rrjetet sociale nuk është kështu. Në Britani kanë ndodhur shumë drama vetëm sepse një politikan ka postuar diçka që ka qenë si rezultat i një reagimi impulsiv”, thotë Richards, duke shtuar se ajo që shkruhet në rrjetet sociale nuk është e njëjtë me atë që mund të interpretohet në një pjesë të mediave, pa dallim nëse qëllimi ka qenë i mirë apo i keq.

Fushata e parë që e ka udhëhequr Richards ka qenë në vitin 1992, kur për të qenë në rrjedhë me ngjarjet në kabinat telefonike përdoreshin monedha , sepse në atë kohë nuk kishte telefona celularë.

“Kur isha në Qeveri dhe po punoja për një nga ministrat, më duhet të bëja tweet-in e parë për ministrin dhe nga zyra e marrëdhënieve me publikun mora një kërkesë, më falni, a mund të postoni një tweet? Thashë në rregull, dhe ky proces zgjati plot 7 orë”, thotë Richards.

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Prill, 2024 09:15