Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit, presidentja Osmani e përballi Vuçiqin me krimet e luftës, presionin ndaj serbëve të Kosovës e sulmin në Banjskë

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 23 Prill, 2024 09:31

Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit, presidentja Osmani e përballi Vuçiqin me krimet e luftës, presionin ndaj serbëve të Kosovës e sulmin në Banjskë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq patën një përballje mbrëmë në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas një  periudhe tensionesh ndërmjet dy vendeve dhe një ditë pas bojkotimit të procesit të votimit nga serbët lokalë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë që duhej t’u hapnin rrugën zgjedhjeve të reja.

Presidentja Osmani në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit, ku të pranishme ishin edhe katër heroinat kosovare Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Taihri e përballi Vuçiqin me krimet e luftës të kryera në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Osmani para presidentit serb Alekandar Vuçiq ka treguar se Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhuna nga forcat e Sllobodan Millosheviqit.

“Sot me mua është edhe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u dhunua jo vetëm një herë, por dy herë, nga forcat e Millosheviqit. Ata donin ta shkatërronin dhe t’ia vrisnin shpresën. Për këtë arsye ata pamëshirshëm zgjodhën një prej mjeteve më të rënda të luftës – dhunimin. “Do të vuash më shumë nëse të lëmë të gjallë”, i thanë ata asaj, teksa u lutej që ta vrisnin.

Ani pse ka jetuar në horror, Vasvija lulëzoi për të nisur me vrull misionin e saj për të rritur ndërgjegjësimin globalisht për krimin brutal të dhunës seksuale në luftë dhe për t’u bërë e dërguara ime speciale mbi dhunën seksuale gjatë luftës. Sot, ajo punon ngushtë me partnerët në Ukrainë, Lindje të Mesme, kontinentin afrikan dhe gjetkë, duke ndarë ekspertizën e saj mbi qasjet më të përshtatshme për të mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo është e përkushtuar që të jetë afër të mbijetuarve në mbarë botën dhe është shndërruar në zërin e tyre derisa të vijë koha që ata të flasin vetë. Në këtë mision fisnik, asaj i bashkohet edhe Shyretja jonë”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.

Osmani ka thënë se më shumë se 1600 persona nga Kosova janë ende të zhdukur me forcë në varrezat masive në Serbi. Ani pse, siç tha ajo në Këshill të Sigurimit, është arritur marrëveshje në Bruksel për hapjen e arkivave, presidenti serb po vazhdon ta refuzojë atë.

Ajo ka përmendur edhe Fahrije Hotin, e mbijetuara e Krushës.

Osmani tha se ajo që Millosheviqi dhe ministri i tij i propagandës, Aleksandar Vuçiq donin ishte një popull i trembur dhe i thyer, por ajo që gjetën, presidentja tha se ishte një popull i palëkundur.

Osmani tha se Kosova do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse anëtarve të Kombeve të Bashkuara, që zgjodhën të jenë në anën e viktimës së një regjimi gjenocidal.

“Historia jonë nuk ka mbaruar dhe shumë nga potenciali ynë ende nuk është përmbushur – por e ardhmja jonë është e ndritshme dhe kam besim se një ditë do t’ju bashkohemi në këtë tryezë, pjesë e familjes së kombeve që sot përbëjnë Kombet e Bashkuara”, tha mes tjerash Osmani në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Ajo i ka kërkuar presidentit serb Vuçiq që të kërkojë falje për krimet e kryera.

“z. Vuçiq, mu këtu merr pak kohë dhe kërkoju falje. Tregoju të gjithëve që ke së paku një të shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ka thënë Osmani.

Në fjalën e saj presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është histori suksesi pasi që shoqëria jonë jo vetëm që ka tejkaluar luftën por ka nivel të avancuar të sundimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së komuniteteve.“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë Presidentja.

Osmani thotë se këto të arritura i dëshmojnë raportet e Transparency international dhe Freedom House.

“Për më tepër Kosova është ndër vendet më pro BE-së dhe SHBA-së në botë dhe është ndër të parat që është rreshtuar në krahë të Ukrainës”.

Ajo i është përgjigjur Vuçiqit në raport me trajtimin e Serbëve në Kosovë.

“Pretendimet e Serbisë për pastrim etnik të serbëve janë të rrejshme dhe të pabaza. Këto narrativa janë diskredituar nga Komiteti i Helsinkit deri te Parlamenti i Evropës. Shteti i Kosovës jo vetëm që mbron por edhe promovon të drejtat e serbëve dhe të gjitha komuniteteve tjera”.

Osmani thotë se serbët e Kosovës që përbëjnë deri në 4% kanë përfaqësim në jetën e Kosovës në të gjitha sferat shoqërore.

“Gjuha serbe përdoren në të gjitha institucionet publike anë e mbanë Kosovës. Kishat ortodokse ka mbrojtje të veçantë nga shteti i Kosovës. Pos disa incidenteve të izoluara, asnjë motiv etnik nuk ka ndaj kishave ortodokse”.

Presidentja ka thënë se përkundrazi serbët që po integrohen në institucionet e Kosovës po torturohen nga Serbia.

Osmani ka thënë të hënën se serbët e Kosovës janë nën presion të Qeverisë së Serbisë, dhe jo asaj të Kosovës.

“Tashmë janë të qarta përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar procesin e integrimit të serbëve në Kosovë, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të fituar kontroll dhe për të përhapur frikë, dhe kështu, njëkohësisht duke minuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Osmani ka thënë se serbët e integruar në institucionet e Kosovës janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe, sulmeve në pronat e tyre, shkatërrimin dhe rrezikimin e jetëve të tyre, me vetëm një qëllim: t’i detyrojnë ata të ikin.

Ajo ka përmendur rastin e Sanduloviqit dhe avokatit të tij që pasi kanë vendosur lule te varri i një vogëlushe të vrarë nga shteti serb, janë torturuar nga Serbia./

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Robert A Wood, gjatë debatit për situatën në Kosovë ka thënë se rajoni ka bërë progres, por ka përmendur “veprime eskaluese dhe të pakoordinuara nga të dyja palët, Serbia dhe Kosova që e vonojnë atë”.

Ai ka folur për sulmin në Banjskë duke thënë se janë 6 muaj më vonë “Serbia s’ka bërë përparim thelbësor për t’i mbajtur përgjegjës personat e involvuar, përfshirë edhe liderin e vetëshpallur të sulmit Milan Radojiciq.

“Kërkojmë përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in që të parandalohet edhe një sulm si ai i 24 shtatorit, që të mos ndodhë përsëri” ka theksuar ai.

Tutje, përfaqësuesi amerikan ka përmendur edhe ngjarjet e 17 Prilli kur Serbia ndaloi qytetarë nga Kosova që po kalonin nëpër territorin e saj.

“Jemi shumë të brengosur për ndërprerjen e lirisë së lëvizjes për qytetarët në Serbi më 17 prill dhe ndalimin e qytetarëve kosovarë përfshirë serbët etnikë që shërbejnë në Policinë e Kosovës. Ky veprim ishte shkelje e marrëveshjeve të kaluara të lirisë së lëvizjes dhe formë kërcënimi ndaj serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën civile në Kosovë” ka thënë ai.

Përfaqësuesi amerikan po ashtu ka thënë se SHBA është e brengosur për veprimet e fundit të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës përfshirë atë për rregulloren e amendamentuar të BQK-së për pagesa me para të gatshme.

“Është në shpërptuhje me zotimin e Kosovës për dialogun e lehtësuar nga BE. Këto veprime afektojnë komunitetet e cenuara joshumicë dhe e minojnë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Më tej ai ka thënë se të dyja palët duhet të marrin hapa konkretë për t’i përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut përfshirë gjetjen e jë zgjidhjeje për cështjen e valutës dhe përparim në themelimin e Asociacionit.

Wood ka folur edhe për zgjedhjet në Veri duke thënë se i vjen keq për mospjesëmarrjen e Listës Srpska dhe përfaqësuesve tjerë duke thënë se në këtë rast kryetarët e zgjedhur mbesin në postet e tyre sipas ligjit. Wood po ashtu ka përmendur se mandati i UNMIK duhet të shkojë drejt përfundimit.

Ndërkaq, ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, ka vlerësuar se në veriun e Kosovës duhet të organizohen shpejt zgjedhje, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, për t’i zgjedhur kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriu, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”, u shpreh aim shkruan Radio Evropa e Lirë.

Kjo deklaratë vjen veç një ditë pas mbajtjes së një votimi në katër komunat në veri të Kosovës, për të larguar apo jo kryetarët atje, i cili dështoi.

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 23 Prill, 2024 09:31