Dje votuan të burgosurit, personat e sëmurë dhe diaspora

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 24 Prill, 2024 09:24

Dje votuan të burgosurit, personat e sëmurë dhe diaspora

Për disa kategori të qytetarëve, procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale ka filluar dje (e martë) 23.04.2024. Në të gjitha institucionet ndëshkuese korrektuese (burgjet) u hapën 14 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kishin 2147 persona.

“Votimi atje ka vazhduar pa probleme dhe deri në orën 19:00, sipas informatave nga këshillat zgjedhorë, kanë votuar 1.380 votues ose 64 për qind e të regjistruarve”, bëjnë të ditur KSHZ.

Gjatë ditës së djeshme, të drejtën e tyre të votës kanë mundur ta shfrytëzojnë edhe personat e zhvendosur brenda vendit. Gjithsej 534 zgjedhës të vendosur në 20 qendra të kujdesit jashtëfamiljar patën mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës në qendrën ku janë vendosur. Nga gjithsej 250 votues nga shtatë qendra, votuan 208 ose 83 për qind.

Poashtu edhe personat e sëmurë ose të pafuqishëm, e kanë realizuar të drejtën e tyre të votës gjatë ditës së djeshme. Të drejtën e votës në banesat e tyre e kanë ushtruar 6935 qytetarë të regjistruar si të sëmurë dhe të pafuqishëm. Sipas informatave nga komisionet komunale zgjedhore, kanë votuar 6543 ose 94 për qind të sëmurë ose të pafuqishëm.

KSHZ-ja thekson se në 31 vendvotime në përfaqësitë diplomatike konsullore jashtë vendit, mundësi për të votuar kanë pasur 2569 votues të regjistruar, aplikimet e të cilëve janë pranuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

“Deri në orën 19:00, sipas informacioneve që marrim nga këshillat zgjedhorë, pjesëmarrja totale nga votimi jashtë vendit është 891 zgjedhës, pra 35 për qind”, thuhet në njoftimin e KSHZ-së.

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 24 Prill, 2024 09:24