Ilaçi i diabetit që u zbulua në vitin 1950 mund të jetë efikas kundër plakjes

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 26 Prill, 2024 20:13

Ilaçi i diabetit që u zbulua në vitin 1950 mund të jetë efikas kundër plakjes

Një ilaç për trajtimin e diabetit, që ishte zbuluar në vitin 1950, kishte treguar rezultate kundër plakjes kur ishte testuar në minj. Një seri testimesh nga Federata Amerikane për Studimet Rreth Moshës kanë hulumtuar nëse metformina – ilaçi më i zakonshëm në botë për trajtim të diabetit të tipit 2 – mund të mbrojë kundër sëmundjeve të lidhura me moshën si ato të zemrës, kanceri dhe rënia e aftësive njohëse, raporton “DailyMail”.

Ekipi beson se efekti mund të jetë për shkak të vetive anti-inflamatore që ka ilaçi, i cili është krijuar për ta reduktuar sasinë e glukozës në gjak.

Tableta nuk është shumë e shtrenjtë, një kushton 20 centë. U zbulua në vitin 1950 në Francë dhe është përdorur për trajtimin e diabetit të tipit 2. Në përgjithësi është efektiv dhe çmimi i tij është mjaft i përballueshëm, saqë OBSH-ja e konsideron ilaç esencial për çdo farmaci në mbarë botën.
Një ekip studiuesish në SHBA po planifikojnë të bëjnë një studim te 3000 pacientë rreth moshave nga 65 deri te 79 vjeçe për gjashtë vjet në 14 institucione dhe të shohin se si do të funksionojë ilaçi. Instituti kryesor që do të zhvillojë këtë lloj testimi do të jetë Universiteti i Mjekësisë në Kaliforni.

Doktori Steven Austad nga Federata Amerikane për Studimet Rreth Moshës ka thënë se nuk e di nëse metformina rrit jetëgjatësinë te njerëzit, por provat ekzistuese sugjerojnë se mundet shumë mirë ta bëjë këtë.

Studimet që janë bërë së fundmi kanë treguar se metformina mund të ofrojë edhe të mira të tjera shëndetësore, duke përfshirë humbjen e peshës, si dhe zvogëlimin e rrezikut nga COVIDI i gjatë.
Këto të mira që ofron ilaçi janë të bazuara në një studim të më hershëm që është bërë në kafshë, në vitin 2013, ku u zbulua se metformina përmirëson cilësinë e jetesës tek minjtë.

Ndërkohë MayoClinick raporton se në kushte specifike, marrja e një sasie të madhe të metforminës mund të shkaktojë grumbullim të acidit laktik në gjak. Rreziku nga kjo është pak më i madh tek personat që kanë ndonjë sëmundje të rëndë të veshkave. Simptomat e grumbullit të acidit laktik janë: parehatia në stomak, ulje e apetitit, diarre, lodhje dhe dobësi.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 26 Prill, 2024 20:13