Blinken në Arabinë Saudite për të diskutuar për Gazën

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 29 Prill, 2024 09:52

Blinken në Arabinë Saudite për të diskutuar për Gazën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti në Arabinë Saudite të hënën, në ndalesën e parë të një udhëtimi më të gjerë në Lindjen e Mesme për të diskutuar disa çështje, përfshirë qeverisjen e Gazës pasi të përfundojë lufta me Izraelin.

Diplomati i lartë amerikan do të shkojë në Izrael në fund të kësaj jave, ku ai pritet të bëjë presion ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të ndërmarrë hapat konkret që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden kërkoi këtë muaj për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gazë.

Në Riad, Blinken pritet të takohet me liderë të lartë sauditë dhe të zhvillojë një takim më të gjerë me homologët e pesë shteteve arabe – Katari, Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania – për të çuar më tej diskutimet mbi atë se si do të dukej qeverisja e Rripit të Gazës pas luftës, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.

Blinken pritet gjithashtu të bashkojë vendet arabe me shtetet evropiane dhe të diskutojë se si Evropa mund të ndihmojë përpjekjet e rindërtimit të enklavës së vogël, e cila është kthyer në një shkretëtirë në bombardimet gjashtëmujore izraelite.

Luftëtarët islamikë të grupit militant palestinez Hamas – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE, sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 253 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Izraeli vendosi pastaj një rrethim total në Gazë dhe nisi një sulm ajror dhe tokësor që ka vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazën e kontrolluar nga Hamasi.

Bisedimet mbi rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës kanë vazhduar për muaj të tërë me një mekanizëm të qartë që ende nuk është shfaqur.

Shtetet e Bashkuara pajtohen me objektivin e Izraelit që Hamasi duhet të çrrënjoset dhe se nuk mund të luajë më rol në të ardhmen e Gazës, por Uashingtoni nuk dëshiron që Izraeli të ripushtojë Rripin.

Në vend të kësaj, është parë një strukturë që do të përfshijë një Autoritet Palestinez të reformuar me mbështetjen e shteteve arabe.

Blinken do të diskutojë gjithashtu me autoritetet saudite përpjekjet për një marrëveshje normalizimi midis mbretërisë dhe Izraelit.

Në këmbim të normalizimit, shtetet arabe dhe Uashingtoni shtyjnë Izraelin të pajtohet me një rrugë për shtetësinë palestineze, diçka që Netanyahu e ka refuzuar vazhdimisht.

Nga Riadi, Blinken do të shkojë në Jordani dhe Izrael ku fokusi i udhëtimit do të zhvendoset në përpjekjet për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza.

Në Aman, Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë jordanezë dhe grupe humanitare për të dëgjuar për përmirësimet, çfarë duhet bërë më shumë dhe më pas do t’ua dërgojë këtë reagim izraelitëve, më vonë këtë javë.

Udhëtimi i Blinkenit për të kontrolluar ndihmën humanitare vjen rreth një muaj pasi presidenti Biden lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Netanyahut, duke thënë se politika e Uashingtonit mund të ndryshojë nëse Izraeli nuk merr hapa për të trajtuar dëmtimin e civilëve, vuajtjet humanitare dhe sigurinë e punonjësve të ndihmës.

Zyrtarët e lartë amerikanë në javët e fundit kanë mirëpritur hapat e Izraelit për të përmirësuar situatën humanitare, por kanë thënë vazhdimisht se duhet bërë më shumë.

Në një telefonatë të dielën me Netanyahun, Biden përmendi përgatitjet izraelite për të hapur këtë javë pika të reja kufitare në veri të Gazës, ku rreziku i urisë mbetet i lartë, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë./REL

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 29 Prill, 2024 09:52