Gaza në fokus të Forumit Ekonomik Botëror, shtetet në përpjekje për t’i dhënë fund luftës

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 22:41

Gaza në fokus të Forumit Ekonomik Botëror, shtetet në përpjekje për t’i dhënë fund luftës

Lufta në Gazë, kryetemë në Forumin Ekonomik Botëror në Riad. Në përpjekje për t’i dhënë fund luftës, në këtë forum mbërriti edhe sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, i cili fillon turneun e tij të ri në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë thirrjet për armëpushim ishin të zëshme edhe në këtë forum.

“Gjëja më e rëndësishme tani është të punojmë me partnerët tanë për të shmangur një sulm në Rafah, ku mbi një milion njerëz janë zhvendosur. Çdo sulm do të ishte një fatkeqësi për ata njerëz. Ne duhet të bëjmë më të mirën dhe të inkurajojmë të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje armëpushimi dhe të punojnë drejt qëllimit afatgjatë të një zgjidhjeje shtetërore.”, – deklaroi kryeministri i Egjiptit, Mustafa Madbouli.

Edhe nëse arrihet një armëpushim, tha ministri i Jashtëm saudit, ne do të duhet të përballemi me pasojat e konfliktit në rajonin më të gjerë.

“Një nga zhgënjimet që kemi dhe shumë kanë, është se mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë nuk kanë funksionuar, madje edhe në diçka aq themelore sa aksesi humanitar.”, – u shpreh ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal Bin Farhan.

Negociatat për armëpushimin janë duke vazhduar, konfirmoi Shtëpia e Bardhë. Një delegacion i Hamasit është nisur për në Kajro. Përfaqësuesit izraelitë u thirrën gjithashtu në Egjipt.

“Ajo që ne po shpresojmë është që pas gjashtë javësh të një armëpushimi të përkohshëm, ne mund të jemi në gjendje të marrim diçka më të qëndrueshme.”, – deklaroi zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi.

Izraeli gati të evakuojë popullsinë nga Rafah. ShBA-ja kundërshton planin e Tel Avivit. Ndërkohë, luftimet vazhduan me Hezbollahun në Libanin e Jugut. Ministri i Jashtëm francez nga Bejruti bëri thirrje për de-përshkallëzim.

“Lufta është tashmë këtu, në Libanin e Jugut, dhe popullata civile po e paguan çmimin. Nuk është në interesin e askujt që ky përshkallëzim të vazhdojë. Unë e solla dhe e përcolla këtë mesazh këtu dhe të njëjtin mesazh do t’i përcjell edhe Izraelit nesër.”, – theksoi ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne.

Lufta vazhdon në Detin e Kuq. Mbrojtja amerikane rrëzoi pesë dronë të lëshuar nga Huthis. (TVM2)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Prill, 2024 22:41