Prokuroria: Erdgys Arrazi po hetohet për shkaktim të vetëvrasjes së Almës

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Maj, 2024 19:51

Prokuroria: Erdgys Arrazi po hetohet për shkaktim të vetëvrasjes së Almës

Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar çështjen ndaj Erdgys Arrazit, i cili do të hetohet për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes” për shkak të dhunës psikologjike të ushtruar në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes, Alma Arrazi.

Prokuroria e Shkodrës thotë se bazuar në prova, “Erdgys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases A.A., e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur”.

Sipas prokurorisë denoncimi nga ana e Erdgys Arrazi për largim nga banesa të gruas dhe fëmijëve të tij është bërë më 3 maj, orës 17:30 ku ai është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër.

“Pas denoncimit janë pyetur familjarët dhe të afërmit ku dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë është parë që në datën 02.05.2024, pasdite, Alma Arrazi me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku Alma Arrazi i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej. Më pas është ndarë nga kunata, ku shtetasja A.A. bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër. Alma Arrazi së bashku me 3 fëmijët e saj, duke vazhduar rrugën në drejtim të “Urës së Bunës”, në anën perendimore, ndërsa kunata e saj vazhdon nga ana lindore. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024”, sqaron prokuroria.

Një ditë më pas më 4 maj rreth orës 22:00, policia është njoftuar se është gjetur trupi i pa jetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, identifikuar si shtetasja Ergesa Arrazi 9 vjeç.

“Është bërë këqyrja e kufomës së shtetases E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga kqyrja e jashtme nuk janë konstatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen E.A., me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes. Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll banese shtetasit E.A., ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itenerarit të Alma Arrazit dhe fëmijëve të mitur me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Maj, 2024 19:51
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media