Arrestohet ushtaraku amerikan në Rusi

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 7 Maj, 2024 09:50

Arrestohet ushtaraku amerikan në Rusi

Një ushtar amerikan është arrestuar në Rusi dhe akuzohet për vjedhje, thanë dy zyrtarë amerikanë. Zyrtarët thanë se rreshteri Gordon Black, 34 vjeç, ishte i dislokuar në Korenë e Jugut dhe po ndiqte procesin e rikthimit për në bazën Fort Cavazos, në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Por në vend të kthimit në atdhe, zyrtarët thanë se ai udhëtoi drejt Rusisë.

Zyrtarët amerikanë folën për gazetarët me kusht ruajtjen e anonimitetit. Zëdhënësja e ushtrisë, Cynthia Smith, konfirmoi se ishte arrestuar një ushtarak me akuza për shkelje penale të enjten, në Vladivostok, një qytet-port i rëndësishëm nga pikëpamja ushtarake dhe tregtare në bregdetin e Paqësorit. Ajo tha se Rusia njoftoi për këtë Shtetet e Bashkuara dhe se ushtria amerikane njoftoi familjen e ushtarakut.

“Departamenti amerikan i Shtetit po jep mbështetjen e duhur konsullore për ushtarin në Rusi”, tha zonja Smith.

Nuk ishte e qartë të hënën nëse ushtari konsiderohet i larguar me apo leje. Ky arrestim vjen më pak se një vit pasi ushtari amerikan Travis King kaloi me vrap drejt Koresë së Veriut, përmes kufirit të fortifikuar rëndë mes dy Koreve. Koreja e Veriut njoftoi më vonë se do ta dëbonte zotin King dhe ia dorëzoi atë autoriteteve amerikane. Ai u akuzua më pas për dezertim.

Rusia njihet për mbajtjen në burgjet e saj të disa amerikanëve, ndër të tjerë drejtuesin e kompanive private të sigurisë, Paul Whelan dhe gazetarin e gazetës “The Wall Street Journal”, Evan Gershkovich. Qeveria amerikane i ka përcaktuar të dy si “të mbajtur padrejtësisht” dhe është përpjekur të negociojë për lirimin e tyre.

Ndër të burgosurit e tjerë janë Travis Leake, një muzikant që jetonte prej vitesh në Rusi dhe u arrestua vitin e kaluar për akuza që kishin të bënin me drogë; Marc Fogel, një mësues në Moskë i dënuar me 14 vite burgim, gjithashtu me akuza për drogë; si dhe dy gra me dyshtetësi amerikane dhe ruse, gazetarja Alsu Kurmasheva dhe Ksenia Khavana. Arrestimi i ushtarit amerikan u raportua fillimisht nga kanali televiziv NBC News.

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 7 Maj, 2024 09:50