Nis heshtja zgjedhore!

Flaka
Botuar nga Flaka 7 Maj, 2024 00:00

Nis heshtja zgjedhore!

Sonte në mesnatë mbaroi fushata 20 ditore për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare dhe me këtë filloi heshtja zgjedhore e cila do të zgjatë deri në mbarimin e procesit të votimit më 8 maj, në ora 19.

Në ndërkohë, gjatë ditës së nesërme votojnë të sëmurët, të burgosurit dhe personat në shtëpitë e të moshuarve. Qytetarët, sipas njoftimit të KSHZ-së, në zgjedhjet e 8 majit, do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare përnjëherë. Sipas procedurës, qytetari do të pyetet nga Komision Komunal

Zgjedhor nëse do të votojë për dyja palët e zgjedhjeve, respektivisht parlamentare dhe presidenciale, apo vetëm për njërën palë. Nëse qytetari, deklarohet se dëshiron të votojë vetëm për njërën palë, atij nuk do t’i lejohet të rikthehet gjatë ditës për të votuar për zgjedhjet e tjera për të cilat është deklaruar se nuk dëshiron të votojë.
Sipas KSHZ-së, ditën e zgjedhjeve do ta ndjekin 1.078 vëzhgues të vendit dhe 770 të huaj. Sipas të dhënave, më së shumti vëzhgues nga vendi do të ketë nga Shoqata për Zhvillimin e Inovacioneve Sociale Inovative “Wake up” Shkup, me gjithsej 752 vëzhgues. Nga ana tjetër, prej organizatave të huaja, OSBE/ODIHR ka akredituar gjithsej 410 vëzhgues, 14 ekspertë dhe 31 përkthyes.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale dhe të 15-tat parlamentare që nga pavarësia e vendit, ndërkaq të drejtë vote kanë gjithsej 1.815.350 qytetarë.

Në rrethin e dytë të presidencialeve, qytetarët do të duhet të zgjedhin për shef të ri të shtetit mes kandidates së VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovski.

Flaka
Botuar nga Flaka 7 Maj, 2024 00:00