Kurti refuzohet nga Abdixhiku e Haradinaj, në takim i shkon vetëm Memli Krasniqi

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 11 Maj, 2024 21:27

Kurti refuzohet nga Abdixhiku e Haradinaj, në takim i shkon vetëm Memli Krasniqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është refuzuar nga  një pjesë e opozitës, krerët e së cilës i ka ftuar në një darkë pune për të hënën për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror. Në takim Kurtit do t’i shkojë vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Teksa nga LDK dhe AAK kanë thënë se temat e diskutimit bien mbi përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare, nga PDK ia kanë “ndërruar” Kurtit temën e diskutimit, duke thënë se do të shkojnë për të diskutuar për zgjedhjet e reja parlamentare, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, bëri të ditur se në këtë takim pjesëmarrja e Krasniqit do të jetë në funksion të diskutimit për zgjedhje të reja parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Abdullahu.

Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Kurti për darkë pune.

Në përgjigjen që kreu i LDK-së ia ka kthyer kryeministrit Kurit, thuhet se e konsideron të vonuar këtë ftesë për takim, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet.

Abdixhiku thekson se Kurti për këto tri vite e gjysmë ka mbjellë në polarizim të skajshëm të partive politike në Kosovë.

Por, LDK thotë se do të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës së Kosovës.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut.

LDK-ja konsideron se arsyet për të cilat është thirrur takimi, përkatësisht agjenda legjislative e Kuvendit, mund të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, teksa për çështjen e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, LDK thotë se do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e njëjtë.

“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake. Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”, thuhet në letër.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 11 Maj, 2024 21:27