Kryetari i KE-së, Charles Michel: I zhgënjyer me presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Maj, 2024 17:20 Përditësuar

Kryetari i KE-së, Charles Michel: I zhgënjyer me presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Këshillit të Europës, Charles Michel është shpehur i zhgënjyer me presidentin e re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pasi e njejta nuk respektoi emrin kushtetues të shtetit.

Në rrjetin social X, Michel ka rikujtuar se marrëveshja e Prespës duhet të respektohet.

Reagimi i plotë:

Shumë zhgënjyese që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së sotme të betimit. BE rikujton rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë.

BE ndjen keqardhje që Siljanovska – Davkova nuk e respektoi Marrëveshjen e Prespës

Bashkimi Evropian (BE) shprehu keqardhjen që presidenti i ri i RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova, në ceremoninë e sotme ku dha betimin nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“BE-ja na kujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha Stano.
Siljanovska-Davkova sot dha betimin solemn në Kuvend dhe më pas filloi mandatin e saj si presidente e vendit pas fitores në zgjedhjet presidenciale të 8 majit.

Gjatë dhënies së betimit, duke përsëritur pas kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, i cili përdori emrin kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova përdori vetëm Maqedoninë.

Reagon koalicioni VLEN: Nuk duhet të hapen plagët e vjetra

Nga Koalicioni VLEN kanë reaguar pas debatit të shkaktuar për mos përmendjen e emrit kushtetues të vendit, nga ana e presidentes Gordana Siljanovska, gjatë inaugurimit të saj.

Nga ky koalicioni thonë se nuk duhet të hapen plagët e vjetra.

“Shprehim shqetësimin tonë për ndikimin e emocioneve të fushatës zgjedhore në racionalitetin e hapave të parë në realpolitikë. Ne i kuptojmë ndjenjat e popullit maqedonas, por nuk ka shans të dytë për një përshtypje të parë për kreun e ri të shtetit. Presidenti i Republikës duhet të jetë shembull i respektimit të Kushtetutës, sidomos kur bëhet fjalë për një profesoreshë të së Drejtës Kushtetuese. Maqedonia e Veriut është anëtare fuqiplotë e Aleancës së NATO-s dhe negociatat me BE-në kanë filluar, por ndryshimet kushtetuese na presin përpara për të vazhduar në rrugën evropiane. Ne nuk kemi nevojë për hapjen e plagëve të vjetra. Ndaj është mirë që presidentja e re nënshkroi betimin me emrin kushtetues, që është ende një shenjë se realiteti de facto pranohet prej saj”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Ademi: Sot u dhanë sinjalet e para për krizë

Deputeti i BDI-së Arbër Ademi në “Magazinën informative” në TV21 i pyetur për paralajmërimin e Ahmetit se po cenohet stabiliteti i vendit u shpreh se

“Ali Ahmeti derë më sot ka treguar se është burrështetas, edhe kur e mori vendimin për 5 minuta kur deponuan dorëheqje kolektive nga Qeveria. Ne nuk jemi duke e bërë këtë betejë për të qenë në pushtet me çdo kusht, e kemi dëshmuar. Kërkoj Mickoski para 1 viti 1 viti e gjysmë që ta lëshojmë Qeverinë, ne pas 5 minutave dolëm dhe thamë po e lëshojmë Qeverinë, të nesërmen deponuan të gjithë ministrat dorëheqje kolektive. Pse? Se Ali Ahmeti është burrështetas e dëshiron të ardhmen e këtij vendi dëshiron që ky vend të jetë me perspektivë të qartë europiane, me standard më të mirë jetësor, e jo me këto folklorizma të cilët sot ndodhën, që vetëm i shkaktuan krizat e para, për këtë kriz flet, për këtë destabilitet flet”, tha Ademi.

Kasami uron Siljanovskën: Të kontribuojë në rritjen e demokracisë dhe vlerave europiane

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami pjesë e koalicionit VLEN ka uruar presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

“Sot mora pjesë në seancën e inaugurimit të presidentes së re znj. Gordana Siljanovska Davkova.

I uroj sukses në mandatin e saj. Po ashtu uroj që ta përfaqësojë vendin me dinjitet dhe të kontribuojë në rritjen e demokracisë dhe vlerave europiane”, ka shkruar Kasami në Fejsbuk.

Ademi nga BDI: Tashmë është shkaktuar krizë në raportet Shkup – Athinë

Nga BDI-ja shprehen të bindur se tashmë është shkaktuar krizë në raportet Shkup – Athinë. “Kjo flet shumë. Me fjalimin e saj të parë respektivisht me fjalinë e saj të parë, ka shkaktuar krizës midis RMV-së dhe Greqisë”, tha Ademi.

Por, Arbër Ademi, në përgjithësi, fjalimin e Siljanovkës e vlerësoi si fjalim 8 marsi. Kjo, mbase për shkak se gati i gjithë fjalimi iu dedikua grave në politikë.

Ademi tha se Siljanovska përjashtoi shqiptarët nga thirrja e saj për unitet.

“Presidentja foli për unitet, por gjatë fjalimit të saj, përpos që e ngriti në qiell, Kryetarin e partisë së saj, poashtu përmendi në një rast edhe Kryetarin e një partie tjetër, duke përmendur vetëm dy lider në bllokun politik maqedonas dhe duke I përjashtuar kështu nga thirrja për unitet gjithë të tjerët”, tha Ademi.

Nga BDI-ja potencojnë se gjatë fjalimit të saj, Siljanovska nuk përmendi integrimet euroatlantike, raportet ndëretnike por edhe raportet me fqinjtë.

“Nuk u përmend asgjë sa i përket NATO-s, BE-së, procesit eurointegrues. Nuk u përmend asgjë sa i përket marrëdhënieve të mira ndëretnike. Nuk u përmend fare Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Traktati i Miqësisë me Bullgarinë. Nuk u përmend poashtu as edhe urimi që I ka bërë Presidentja e Kosovës, megjithëse u përmenden gra të tjera, lidere që ia kanë uruar përzgjedhjen”, tha Ademi.

Nga ana tjetër, disponim ndryshe nga kampi i koalicionit VLEN.

“Sot mora pjesë në seancën e inaugurimit të presidentes së re znj. Gordana Siljanovska Davkova” – ka shkruar në Facebook, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, teksa ka postuar fotografi ku shihet krah liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit.

“I uroj sukses në mandatin e saj. Po ashtu uroj që ta përfaqësojë vendin me dinjitet dhe të kontribuojë në rritjen e demokracisë dhe vlerave europiane” – shkruan Kasami.

Përmes rrjetit social X është prononcuar edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. Mesazhi i saj ishte se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me aderimin në BE, përmes zbatimit të reformave dhe duke respektuar marrëveshjet obligative, duke llogaritur këtu edhe Marrëveshjen e Prespës.

Reagon ministri i drejtësisë, Lloga: Betimin e Siljanovskës i pa vlefshëm

Mos respektimi i emrit kushtetues të shtetit e bën betimin e Siljanovskës NUL (të pa vlefshëm)– ka shkruar në Facebook, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Sipas Llogës, ose duhet të përsëritet procedura ose Kryeparlamentari Mitreski duhet të marrë funksionin e Kryetarit të Shtetit si ushtrues detyre.

Reagim i Athnës zyrtare: Të vazhdojë të zbatohet Marrëveshja e Prespës

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis, deklaroi se sa i përket Maqedonisë së Veriut, kam theksuar vazhdimisht se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian kalon edhe përmes respektimit besnik të Marrëveshjes së Prespës, në një intervistë për edicionin javor të gazetës “Vradini”, njoftoi korrespondenti i MPB-së nga Athina.

Kreu i diplomacisë greke kujtoi qëndrimin e Demokracisë së Re në periudhën kur ishte në opozitë, tregoi se duhet të vazhdojë të zbatohet Marrëveshja e Prespës, duke vlerësuar se ky do të jetë edhe qëndrimi i Qeverisë së re.

“Kjo Marrëveshje është një marrëveshje ndërkombëtare, e cila është mbi çdo ligj të brendshëm dhe duhet të respektohet nga palët dhe natyrisht rishikimi i saj nuk lejohet pa marrëveshjen e palëve. Në këtë kuptim, ne besojmë se është e nevojshme të vazhdohet me zbatimin e Marrëveshjes dhe besoj se ky do të jetë qëndrimi i lidershipit të ri politik të Maqedonisë së Veriut, i cili do të dalë pas zgjedhjeve. Qeveria greke monitoron vazhdimisht dhe me rigorozitet zbatimin e Marrëveshjes dhe do të bëjë ndërhyrjet e nevojshme”, theksoi Gerapetritis.

Në të njëjtën kohë, ai ritheksoi mbështetjen greke për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se “këto vende duhet të jenë në thelb të Bashkimit Evropian”.

Incidenti me ambasadoren greke, kryetarja e KE-së: Të respektohet marrëveshja e Prespës

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka reaguar pas incidentin në Maqedoninë e Veriut, ku ambasadorja greke u larguar nga salla ku po mbahej ceremonia e betimit si presidente e Gordana Silianovska, pasi kjo e fundit e ka quajtur vendin e saj “Maqedoni”.

 Në një reagim në ‘X’, Von der Leyen shprehet se Maqedonia e Veriut për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në BE, duhet të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës.

“Në mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është me rëndësi të madhe që vendi të vazhdojë kursin e tij reformues dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, shkruan Von der Leyen.

Ceremonia e betimit të Siljanovskës nxiti incident me ambasadoren greke

 Gjatë ceremonisë së betimit të saj, Silianovska e quajti vendin “Maqedonia”. Fill pas kësaj deklarate, ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filippidou, e ftuar në seancën e Kuvendit për betimin e Gordana Silianovska, u largua nga salla në shenjë proteste për faktin se kjo e fundit i referohej vendit si “Maqedoni” gjatë betimit të saj, në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

Siljanovska mori detyrën e presidentes

Gordana Siljanovska-Davkova e mori pozitën e Presidentes së Shtetit nga Stevo Pendarovski në kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Nga Kuvendi ajo u drejtuar drejt “Villa Vodno”, ku dha betimin solemn për kryerje të detyrës me ndërgjegje dhe iu drejtua deputetëve të pranishëm, trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të jetës politike e shoqërore. Mandati pesëvjeçar presidencial i Gordana Siljanovska-Davkovës, e cila është presidentja e gjashtë dhe njëkohësisht presidentja e parë femër që nga pavarësia e vendit, fillon sot.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 24 prill dhe 8 maj, ajo fitoi 561 mijë vota. Ajo në fjalimin e saj në Kuvend ka theksuar se ky është angazhimi më i madh në jetën e saj, përveç se është dhurata më e bukur për ditëlindjen e saj që ishte dje.

Flaka
Botuar nga Flaka 12 Maj, 2024 17:20 Përditësuar