Afrim Gashi: Nuk kemi nënshkruar deklaratë të përbashkët siç pretendon Ali Ahmeti

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 13 Maj, 2024 21:07

Afrim Gashi: Nuk kemi nënshkruar deklaratë të përbashkët siç pretendon Ali Ahmeti

Ali Ahmeti po ëndërron – thotë kreu i Alternativës, pjesë e koalicionit “VLEN”, duke pretenduar se nuk ka nënshkruar një deklaratë ku thuhet se partitë shqiptare do të jenë vetëm pjesë e një qeverie që zbaton ndryshimet kushtetuese, përcjell FLAKA.

Nuk është e vërtetë që ne kemi nënshkruar një deklaratë se nuk do t’i bashkohemi një qeverie që nuk do të bëjë ndryshimet kushtetuese. Këtë pohim e ka bërë në emisionin “360 Gradë” në MRT 1, kreu i Alternativës, pjesë e koalicionit “VLEN”, Afrim Gashi.

Gashi shtoi se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ëndërron dhe po kërkon rrugë për të qëndruar në pushtet.

“E pasaktë. Nëse është e vërtetë, ai duhet ta tregojë atë letër. Ku është ajo letër? Nëse e ka, le ta tregojë. Ai po lexonte një letër që ne e kemi parë, të qarkulluar në qarqe të caktuara, por pa nënshkrimin tonë. Ai mund të ketë firmosur, por nuk ka një letër të tillë. Ai po ëndërron, nuk sheh se si të qëndrojë në pushtet, por shqiptarët i thanë se duhet të shkojë në opozitë dhe këtë duhet ta pranojë. Loja ka përfunduar”, thotë Gashi.

Lideri i Alternativës tha se në takimin e parë VMRO-DPMNE ka përsëritur qëndrimin e programit zgjedhor se nuk kanë problem me bullgarët në Kushtetutë, por kanë problem me garancitë.

“Në politikë ka gjithmonë zgjidhje dhe kompromise. Më besoni se zgjidhjet po gjenden. Mendoj se duhet të ulemi dhe të bëjmë një diskutim thelbësor dhe të sinqertë dhe mendoj se do të gjendet një përgjigje”, thotë ai.

Dy ditë më parë, Ali Ahmeti ka lexuar tekstin e një deklarate e cila sipas tij është nënshkruar së bashku me Arben Taravarin, Afrim Gashin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin më 13 janar të këtij viti, ku thuhet se do të bashkëpunojnë vetëm me partitë politike që janë dakord për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. FLAKA

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 13 Maj, 2024 21:07