Ministri i Shëndetësisë e shkarkoi nga detyra drejtorin e toksikologjisë

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 14 Maj, 2024 19:15

Ministri i Shëndetësisë e shkarkoi nga detyra drejtorin e toksikologjisë

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri e ka nënshkruar vendimin për shkarkimin e drejtorit mjekësor të Klinikës së Toksikologjisë, Danill Petrovski. Vendimi ka mbërritur sot në shërbimet juridike të Klinikës.

Dr. Petrovski në deklaratën e tij për disa mediume tha se nuk është i befasuar pasi ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri e kishte shpallur tashmë shkarkimin e tij. Për shkarkimin nga posti Petrovski tha se sot e ka kuptuar nga punonjësit e Klinikës së Toksikologjisë.

Javë më parë, ministri Demiri kishte deklaruar se do ta shkarkojë drejtorin mjekësor të kësaj klinike pasi siç tha ai ka shkelur ligjet e punës. Mospajtueshmëri kishte në klinikë në mes dy drejtorëve, Petrovskit dhe drejtoreshës ekonomike Besija Iljazi, pasi siç kishte njoftuar për mediumet Iljazi Petrovski nuk i nënshkruan kontratat e përfunduara për personelin mjekësor shqiptar, të cilët disa muaj pas mbarimit të kontratave kanë punuar pa pagesë.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar ka hyrë në Klinikën e Toksikologjisë dhe ka konstatuar se këta persona kryejnë detyra pune në mënyrë të kundërligjshme dhe ka dhënë urdhër që të ndalohet hyrja e tyre dhe nëse nuk respektohet ky vendim ata do të gjobiten.

Petrovski ishte drejtoj i Klinikës së Toksikologjisë nga data 15 dhjetor e deri më sot.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 14 Maj, 2024 19:15