5 kandidatë për anëtar në Këshillin Gjyqësor, përkatësia etnike përplasi gjyqtarët

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 15 Maj, 2024 19:55

5 kandidatë për anëtar në Këshillin Gjyqësor, përkatësia etnike përplasi gjyqtarët

Këshilli Gjyqësor i përcaktoi listat e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga Gjykata Supreme dhe nga rajoni i Apelit në Manastir. Në të dyja listat janë gjithsej pesë gjyqtarë.

Me gjashtë vota “për” dhe 5 “kundër” u përcaktua lista e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Supreme, në të cilën janë kandidatët, Cvetanka Periq dhe Isamedin Limani. Emri i këtij të fundit shkaktoi një debat të gjatë në seancë mbi atë se a po shkelet Kushtetuta në dëm të komunitetit shumicë maqedonase, por me votën e gjyqtares Loreta Georgieva, gjyqtari Isamedin Limani mund të kandidojë për anëtarësim në Këshillin Gjyqësor.

Sipas disa anëtarëve, nëse Limani zgjidhet anëtar, do të cenohet përfaqësimi i drejtë në Këshillin Gjyqësor, besuan ata që votuan kundër listës së kandidatëve me Limanin në të.

“Vlerësoj se kandidati Isamedin Limani ka pengesë kushtetuese dhe ligjore të jetë në listën e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e Gjykatës Supreme.”, – deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Ivica Nikollovski.

“Pranimi i Limanit në listën e përgjithshme të kandidatëve është shkelje flagrante e Kushtetutës. Përbërja e Këshillit Gjyqësor do të prishet. Unë do t’u përmbahem këtyre dispozitave kushtetuese dhe ligjore dhe mendoj se kërkesa e tij duhet të refuzohet.”, – theksoi anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Tanja Çaçarova-Ilievska.

Por, disa anëtarë të Këshillit gjyqësor nuk pajtohen dhe thonë se askund në konkurs nuk kishte ndalesë për kandidimin e Isamedin Limanit.

“Askund nuk kishte ndalesë që një gjyqtar i një bashkësie tjetër etnike të mos mund të paraqitet në konkurs. Kontrolloni, merrni e lexoni shpalljen!”, – deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.

“Sipas ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Gjykatat, që e rregullojnë këtë fushë, shumë qartë e potencon se në asnjë moment nuk përcaktohet se e cilës përkatësi etnike duhet të jetë, por thotë gjyqtar në Gjykatën Supreme.”, – theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa.

Kandidatët Aleksandar Kambovski, Aleksandra Pop Stefanija dhe Tatjana Susuleska u përcaktuan në listën e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit nga Apeli në Manastir. (TVM2)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 15 Maj, 2024 19:55