Veriu i vendit Trieste e dytë në Ballkan!

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 15 Maj, 2024 08:00

Veriu i vendit Trieste e dytë në Ballkan!

Interesi i shtetit duhet të shikohet nga mundësitë tona, nga aspekti gjeostrategjik dhe historik e jo nga dëshirat tona. Duhet maturi dhe guxim në veprime, duhet vizion dhe largëpamësi politike për të nxjerrë atë që është e mundur e jo nxitje nga dëshirat dhe ambiciet për ngritje të imazhit personal mbi fatkeqësinë e vendit.

Anologjia e Veriut me Triesten

Pas përfundimit të luftës, të gjitha shtetet me konteste territoriale problemet i kanë zgjidhur ose janë detyruar t’i pranojnë zgjidhjet e ofruara nga ndërmjetësit ndërkombëtar sipas parimeve të etnitetit për të arritur zgjidhje përfundimtare dhe paqe afatëgjatë në atë rajon.


Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, Trieste deri në vitin 1954 zyrtarisht ka qenë pjesë e Jugosllavisë, derisa është arritur marrëveshja ndërkombëtare, sipas së cilës Trieste i kthehet Italisë.

Sikurse që ishin të kota parollat e Titos, “Jetën e japim, Triestën s’e japim”, të kota mbeten edhe zotimet tona folklorike, “Pa u farue me djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”, pasi ajo u nda në Parlamentin e Kosovës në dysh: Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore!

Kosova duhet të qëndroj unike edhe atëherë kur ndodhë dështimi i anëtarësimit nëpër organizata relevante ndërkombëtare, të cilit do nivel qofshin ato, për të mbledhur energji për vazhdimin e betejave tjera për të ruajtur integritetin e shtetit, sovranitetin dhe stabilitetin afatgjatë politik në vend.

Kosova me unitetin e saj politik duhet të dëshmoj vendosmëri dhe konsistencë në rrugëtimin evro-perëndimorë, përkatësisht të integrimit gradual në organizatat ndërkombëtare.

Kosova assesi nuk guxon të mbetët peng i një asociacioni, e aq më pak i tekeve personale të një lidershipi, cili do qoftë ai.

Sikur ta kishim çliruar vendin tonë vetë pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare do të kishim pasur plotësisht të drejt t’iu qëndrojmë besnik dëshirave dhe tekeve tona personale dhe kolektive, por jo, kur edhe tani pas 25 viteve, KFOR-i (NATO) është forca kryesore mbrojtëse e tërësisë territoriale të vendit tonë.

Nuk guxojmë të harrojmë edhe faktin tjetër, që Kosova në Bruksel më 2013 dhe 2015 e ka nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin, të ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilën e ka pranuar “pa e nënshkruar”, pra është zotuar edhe kryeministri aktual në marrëveshjen e Ohrit vitin e kaluar!

Stop lojrave me hipokrizi

Tendenca për t’i ikur përgjegjegjësisë politike duke mos e zbatuar marrëveshjen e dakorduar është thikë me dy teha për Kosovën. Nuk është aspak e ndershme për kryeministrin aktual, që në njërën anë të thirret në patriotizëm ekstrem, kurse në tjetrën të dorëzohet krejt siq ishte rasti me kishat dhe manastiret serbe, të cilat i fuqizojë me territor dhe kompetenca legjislative në shtetin ‘laik’ të Kosovës!

Albin Kurti e di mirë që do të jetë e kotë çdo orvatje për t’u ikur zotimeve ndërkombëtare, prandaj po i bën këto lojra me hipokrizi për konsum të brendshëm politik.

Për ta ‘bashkuar’ Mitrovicën dhe mbajtur Veriun e vendit, Kosova duhet ta ketë forcën ushtarake të barabart me atë të Serbisë dhe dyfish më të madhe sesa të NATO-s dhe të partnerëve tonë që po na rekomandojnë parreshtur themelimin e Asociacionit.

Aventurat politike të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani janë me rrezikshmëri të lartë për ekzistencën e shtetit dhe jetën e qytetarëve. Andaj, më mirë është t’i vihet kapak një herë e mirë kësaj pune dhe Kosova të kthehet kah e mbara, kah rruga e zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të saj në familjen e madhe evropiane.

Për të bërë një analizë të thellë dhe të thuktë politike kërkohet kohë dhe hapësirë e madhe mediatike, por prapë se prapë unë nuk i vë kapak asnjë vendimi politik! Janë politikanët ata që duhet të tregohen të vëmendshëm në marrjen e vendimeve dhe zgjidhjen e problemeve, për të mos u ndjerë të penduar nesër para qytetarëve të vendit.

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 15 Maj, 2024 08:00