Mickoski njoftoi se qeveria e re do të rinegociojë kontratën me “Bechtel dhe Enka”

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Maj, 2024 09:41

Mickoski njoftoi se qeveria e re do të rinegociojë kontratën me “Bechtel dhe Enka”

Ka dy opsione për kontratën me “Bechtel and Enka” – ose ta ndërpresë ose ta rinegociojë. Njëra është të zgjidhim kontratën dhe të shkojmë në arbitrazh, të paguajmë qindra milionë euro dhe të mos kemi autostradë dhe e dyta është të optimizojmë kontratën për të cilën tashmë kemi bisedimet fillestare, që do të përshpejtonte dhe realizonte projektin, tha dje lideri i VMRO-DPMNE-së dhe mandatar i ardhshëm, Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

“Ne jemi më shumë për një qasje pragmatike, që qytetarët të kenë një autostradë, por të optimizuar, por siç është, e nënshkruar nga kjo qeveri, fatkeqësisht në një masë është e pazbatueshme për shkak të problemeve të mëdha ligjore, problemeve me shpronësimet dhe probleme teknike. Si qeveri e ardhshme ne duam të ndërtojmë, jo të shkatërrojmë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para mbylljes së Samitit “Maqedonia 2025”.

I pyetur nëse Hungaria është shteti me të cilin vendi ynë do të tërheqë kredi deri në një miliard euro, Mickoski është përgjigjur se është shtet evropian, të cilin qytetarët do ta kuptojnë shumë shpejt.

“Kredia deri në një miliard euro në kushte jashtëzakonisht të favorshme, e cila do të tërhiqej me një shtet tjetër, në nivel qeveri-qeveri, për të financuar kontratat e këqija të qeverisë aktuale, vendet që i përmendën nuk janë ato. Ky është një shtet evropian, të cilin qytetarët do ta kuptojnë shumë shpejt”, tha Mickoski.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir. Ndërkaq më 1 qershor në Tetovë filluan aktivitetet punuese për korridorin 8.

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Maj, 2024 09:41