Osmani në Strasburg: Multilaterizmi mbetet përgjigjja e vetme efikase ndaj sfidave

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Maj, 2024 12:40

Osmani në Strasburg: Multilaterizmi mbetet përgjigjja e vetme efikase ndaj sfidave

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mbajti fjalim në Seancën e 133-të të Komitetit të ministrave të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku theksoi rolin e multilateralizmit në ballafaqimin me sfidat e shumta aktuale.

“Përskaj lëshimeve të tij, multilateralizmi mbetet e vetmja mënyrë për të mobilizuar një përgjigje kolektive ndaj luftërave, krizave, situatave të jashtzakonshme dhe sfidave të pakrahasueshme të natyrave të ndryshme. Këshilli i Evropës mbetet një shtyllë thelbësore në këtë drejtim. Megjithatë, ne shtetet anëtare e mbajmë përgjegjësinë për efikasitetin e tij”, theksoi Osmani.

Sipas tij në 75 vjetorin e ekzistimit të tij, Këshilli i Evropës me normat dhe standardet e tij kontribuoi në përmirësimin e jetës së qytetarëve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kultivimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ministri e përshëndeti miratimin e sotëm të Konventës Kornizë për Inteligjencën Artificiale, Të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës, si instrumenti i parë ndërkombëtar në këtë fushë.

“Bashkëpunimi i ngushtë me organizatat tjera ndërkombëtare, veçanërisht me BE-në, OKB-në dhe OSBE-në në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta është i një rëndësie të veçantë”, shtoi Osmani.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, Osmani do të ketë takime të shumta me kolegë nga vende të ndryshme.

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Maj, 2024 12:40