Peceta e nënshkruar për kalimin e Leo Messit te Barcelona si 13 vjeçar u shit për 888 mijë euro

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 17 Maj, 2024 21:40

Peceta e nënshkruar për kalimin e Leo Messit te Barcelona si 13 vjeçar u shit për 888 mijë euro

Peceta e letrës mbi të cilën Lionel Messi nënshkroi marrëveshjen e tij për t’u bashkuar me FC Barcelonës në vitin 2000 u shit për afërsisht 888,000 euro, njoftoi të premten shtëpia britanike e ankandeve Bonhams.

Bonhams fillimisht kishte pritur që çmimi i shitjes të ishte nga 300,000 deri në 500,000 funte. Ankandi online zgjati nga 8 deri më 17 maj. “Peceta ndryshoi fatin e klubit dhe vetë Messit, i cili u bë një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, ka thënë Bonhams.

Ky kujtim futbolli u mbajt me kujdes në një kasafortë nga Horacio Gaggioli, agjenti i Messit në atë kohë.

Peceta nuk mban vetëm firmën e Messit, por edhe firmat e Carles Rexach, drejtori sportiv i Barcelonës në atë kohë, dhe Josep Maria Minguella, një zbulues talentesh që pa potencialin e Messit.

Peceta, e cila u nënshkrua gjatë drekës në La Reial Societat de Tennis Pompeia në Montjuic, përmban një premtim me shkrim nga Rexach.

“Në Barcelonë, më 14 dhjetor 2000, në prani të zotërinjve Minguella dhe Horacio, Carles Rexach, drejtori sportiv i FC Barcelona pranon, nën përgjegjësinë e tij dhe pavarësisht nga çdo opinion i kundërt, të nënshkruajë një kontratë me lojtari Lionel Messi, me kusht që t’i përmbahemi shumave të dakorduara”, shkruhet aty.

Messi, i cili që atëherë ka fituar një numër titujsh të mëdhenj, duke përfshirë Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës, ishte vetëm 13 vjeç kur iu bashkua akademisë së Barcelonës, duke u bashkuar nga klubi argjentinas Newell’s Old Boys.

Kampioni i botës u largua nga Barcelona në vitin 2021 për në Paris Saint-Germain, fanellën e të cilit e zëvendësoi vitin e kaluar me atë të Inter Miami dhe kështu u bë ylli më i madh i MLS-së amerikane. /Telegrafi/

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 17 Maj, 2024 21:40