Akrobacione që minojnë legjitimitetin!

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 20 Maj, 2024 19:47

Akrobacione që minojnë legjitimitetin!

Lideri i BDI-së i akuzon dy partitë më të mëdha maqedonase për plane prapa perdeve të opinionit, dhe frikësohet se ato do të kenë ndikim në marrëdhëniet ndëretnike. Ndërkaq, analistët thonë se‘Podrumet e Kuqe’, ngelin në zhargonin politik sepse pikërisht këta podrume janë si rezultat i mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe shkeljes së ligjit nga të gjithë aktorët politik

Në “podrumet e kuqe” është bërë një marrëveshje e fshehtë që Fronti Europian të mos jetë fuqia e dytë në vend, e cila mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike. Me këtë akuzë fundjavën e kaluar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti i ka karakterizuar vendimet për rivotimin e zgjedhjeve në shtatë vendvotime, të cilat do të mbahen më 22 maj. Me atë rivotim, Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI mund të mbetet pa dy mandate parlamentare nëse Koalicioni VLEN në Zhelinë dhe LSDM në Njësinë zgjedhore 5 arrijnë një fitore më të madhe. Siç dihet, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përcaktoi se do të ketë rivotim në shtatë vendvotime në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore, pasi Gjykata Administrative të premten e kaluar hodhi poshtë si të pabazuara të shtatë paditë e Frontit Europian kundër vendimeve të KSHZ-së.

Koalicioni VLEN e përshëndeti vendimin, duke vlerësuar se ai është në përputhje me vullnetin e qytetarëve, ndërkaq nga Fronti Europian edhe më parë akuzuan për inxhiniering zgjedhor, që synon ndryshimin e raportit të numrave në Parlament përmes një marrëveshjeje politike të partive të tjera.Ky ka qenë rasti që BDI-ja të thërrasë pardje urgjentisht mbledhjen e kryesisë. Zëdhënësi i kësaj partie, Arbër Ademi, pas takimit tha se për hapat e mëtutjeshëm, kryetari i partisë Ali Ahmeti do të ketë takime koordinuese me të gjitha partitë politike që përbëjnë Frontin Evropian.

AKROBACIONE TË RREZIKSHME POLITIKE

Ahmeti ka shprehur frikën se padrejtësia që i është bërë Frontit Evropian me vendimet e rivotimit do të ketë ndikim edhe në marrëdhëniet ndëretnike. Por edhe se synimi është që Fronti Europian të mos jetë forca e dytë në vend. “Ky moment vjen pas analizës së vendimeve të VMRO-së dhe LSDM-së për përsëritjen e zgjedhjeve në këto vendvotime, në mënyrë që të bashkohen që Fronti Evropian të mos jetë forca e dytë në vend. Këtë e kanë bërë dy partitë më të mëdha të nacionalitetit maqedonas, të cilat politikisht, për fat të keq, kemi frikë se do të kenë ndikim në marrëdhëniet ndëretnike, gjë që ne nuk e dëshirojmë”, tha Ahmeti. Ai bëri të ditur se së shpejti do të zbulojë të gjitha planet që po bëheshin në “podrumet e kuqe”. “Të gjitha akrobacionet politike, marrëveshjet e fshehta në podrumet e kuqe që bëhen, janë të papranueshme dhe të dënueshme. Sepse nënkuptojnë një hap prapa dhe kjo nuk duhet toleruar, por duhet të ndikojnë të gjitha palët. Ne i dimë të gjitha detajet e marrëveshjeve në bodrumet e kuqe, marrëveshjet politike. Në të ardhmen do të dalim me detaje të të gjitha marrëveshjeve dhe do t’i prezantojmë para opinionit publik”, tha Ahmeti.

Përfaqësuesit e Koalicionit VLEN i komentuan deklaratat e Ahmetit si mungesë fuqie që Fronti Evropian të përballet me realitetin. VLEN i bëri thirrje Frontit Europian të veprojë si një opozitë konstruktive. “Është e qartë për të gjithë se pasi Ali Ahmeti e kuptoi se humbi pushtetin, humbi edhe kontrollin, por ne i bëjmë thirrje që nëse dëshiron perspektivë evropiane të vendit, të qëndrojë i qetë dhe t’i udhëheqë partnerët e tij nga Fronti që të jenë një opozita konstruktive, për të mbështetur çështjet që janë në interes të shqiptarëve, siç kanë bërë deri tani partitë e VLEN si opozitë, dhe për të lejuar drejtësinë të veprojë. Kur drejtësia vepron sipas ligjit, atëherë rruga e integrimit europian të vendit është e garantuar”, thanë nga VLEN. Nga ky koalicion e kanë përshëndetur vendimin duke vlerësuar se është në përputhje me vullnetin e qytetarëve, ndërsa nga “Fronti Europian” e kanë akuzuar paraprakisht për inxhiniering zgjedhor.

Ndërkaq, njohësit e proceseve politike thonë se të gjitha supozimet shkojnë në atë drejtim që Frontit Evropian do t’i merren dy deputet, por kjo nuk mund të thuhet me saktësi pasi kjo është në duart e votuesve. Berat Azizi, analist, thotë se është e kuptueshme se Fronti Evropian të akuzojë Gjykatën Administrative e cila ka refuzuar ankesat e tyre dhe KSHZ që ka miratuar vendimin që në këto vendvotime të ketë rivotim për shkak të parregullsive në ditën e zgjedhjeve më 8 maj.

“Nuk jam ekspert juridik për të precizuar se cila palë ka të drejtë, por ky sistem i drejtësisë është ndërtuar nga këta parti politike, ky Komision Shtetëror Zgjedhor është i përbërë po nga këta përfaqësues të partive politike. Tani ‘Podrumet e Kuqe’, ngelin në zhargonin politik sepse pikërisht mendoj se këta podrume janë si rezultat i mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe shkeljes së ligjit nga të gjithë aktorët politik. Ahmeti akuzoi partitë politike për inxhinering zgjedhor, por do duhet një analizë më e qartë se sa kohë që funksionon ky inxhinering zgjedhor, pse nuk janë krijuar mekanizma mbrojtës, pse nuk janë dënuar shkelësit e procesit zgjedhor në të kaluarën, a janë këto pasoja të instalimit në postet ku ndahet drejtësia të njerëzve që nuk e meritojnë, të njerëzve që kanë përkrahje të fuqishme politike. Një qëndrim diametralisht të kundërt të partive politike kemi sot ndaj Gjykatës Administrative që për mendimin tim përgjegjësinë duhet të mbajnë ato që instaluan këtë sistem dhe këto figura”, ka deklaruar Berat Azizi, analist.

TENTIM PËR DEFAKTORIZIM TË SHQIPTARËVE!

Sipas zëdhënësit të ASH-së së Ziadin Selës, Arben Zeqiri, etja për pushtet e opozitës shqiptare u përdor si kurrë më parë për të defaktorizuar shqiptarët dhe pushtetin politik të shqiptarëve. “Etja për pushtet e opozitës shqiptare po përdoret si asnjëherë më parë për të defaktorizuar shqiptarët dhe fuqinë politike të shqiptarëve. Inzhinjeringu partiak në KSHZ dhe vendimet për rivotim kanë qëllime të shumfishtë, por vetëm një final, zbehjen e fuqisë së shqiptarëve. Zgjedhjet e 8 majit, për herë të parë në historinë e shtetit kanë nxjerë shqiptarët në një pozitë të rëndësishme, si udhëheqës së forcës së dytë politike në vend që në vete mbart edhe përgjegjësi të fuqishme shtetërore. Fronti Europian me rrezultatin e fituar i bën shqiptarët barikadë reale ndaj nacionalizmit maqedonas dhe fuqisë që fitoi nga ana tjetër VMRO-DPMNE. Nëse Fronti Europian bëhet pjesë e Qeverisë, për herë të parë do të ketë nën ombrellën e vetë edhe komunitetet e tjera joshumicë si turqit dhe boshnjakët duke i bërë njëkohësisht edhe ata faktorë në sjelljen e vendimeve, duke i dhënë kuptim real dhe fuqi parimit të Badenterit. Rivotimi që ka për qëllim marjen e dy deputetëve të Frontit Europian në radhë të parë duket se tenton të ulë dallimin mes VLEN dhe FRONTIT EUROPIAN. Por, tendenca e partive maqedonase VMRO dhe LSDM, me ndihmën e VLEN është edhe më e madhe se kaq”, shkruan Zeqiri.

Nga ana tjetër, Adnan Azizi nga Lëvizja BESA, e cila është pjesë e Koalicionit VLEN, kujton se si BDI është kujdesur për shqiptarët. Sipas tij, edhe pas 22 viteve të qeverisjes së BDI-së, në fshatin e lindjes së Ahmetit, Zajas, ende nuk ka kanalizim, por për këtë ai ka shumë kulla personale. Sipas Azizit, nuk ka pse të flitet për politika të mëdha nga ata që e lanë popullin në mjerim, dhe vjedhjet i mbulojnë me “Evropë”. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 20 Maj, 2024 19:47