Video e rrallë e Ali Ahmetit e para 33 viteve

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2024 21:49 Përditësuar

Video e rrallë e Ali Ahmetit e para 33 viteve

Një video e rrallë nga aktivitetet në ilegalitet të liderit të BDI-së Ali Ahmeti është publikuar së fundmi në opinion. Në video pamje shihet se si Ali Ahmeti drejton me mbledhjen e Këshillit Koordinues Mobilizues të mbajtur në Lucern të Zvicrës ne Nëntor të vitir 1991, raporton Flaka

Në mbledhje  Ahmeti dëgjohet duke bërë thirrje për unitet dhe duke treguar se prioritet për shqiptarët duhej të ishte çështja kombëtare.

“Jemi konsekuent në atë që kërkojmë. Edhe veprime të përbashkëta dhe jemi për këshilla të punëve të përbashkëta, pavarësisht se cila parti është, a është Prosperiteti, a është Lidhja Demokratike, a është Demokristianja shqiptare. Ne, me të gjithë, apo është edhe Partia Nacionaliste, që është themeluar tash në Kosovë nga Balli Kombëtar, sot për sot, problemi kryesor është çështja kombëtare”, ishte shprehur Ali Ahmeti në këtë mbledhje të ilegales shqiptare.

Atë botë Ali Ahmeti ka qenë njëri nga organizatorët e protestave masive të diasporës shqiptare nëpër Europë.

Mbështetjen e tij politike gjatë këtyre viteve Ahmeti e ka pasur në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Në vitin 1986 ai është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, me detyrë ndërlidhjen ndërmjet Kosovës dhe Europës. Në vitin 1988 ai është zgjedhur anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës, funksion në të cilin është rizgjedhur në vitin 1993, me detyrë special sektorin ushtarak.

Në vitin 1996, në vlugun e rritjes së presionit dhe dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës, Ahmeti ka qenë njëri ndër “themeluesit” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vitin 1998, në fillim të luftës, ai është zgjedhur anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2001 Ahmeti zgjidhet Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 20 Maj, 2024 21:49 Përditësuar