Jadrovski: Këtë vit është vërejtur ulje e diskriminimit në baza etnike dhe kombëtare

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 21 Maj, 2024 19:12

Jadrovski: Këtë vit është vërejtur ulje e diskriminimit në baza etnike dhe kombëtare

Qytetarët i janë drejtuar Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi për diskriminim sidomos në fushën e marrëdhënieve të punës, arsimit, qasjes në shërbime por edhe informimit publik. Kryetari i komisionit për mbrojtje nga diskriminimi Igor Jadrovski tha se është vepruar individualisht për secilën nga parashtresat e paraqitura dhe në 31 seanca janë miratuar 521 vendime, nga të cilat 117 mendime juridike, por edhe 344 konkluzione për refuzimin e parashtresës ose ndërprerje të procedurës për shkak dhe parregullsisë së parashtresave.

“Mediat dhe informimi publik, puna dhe marrëdhëniet e punës, arsimi dhe qasja në shërbime të mira edhe këtë vit mbeten fushat më të shpeshta që paraqitet diskriminimi. Për sa i përket shkaqeve të diskriminimit, statusi personal dhe statusi shoqëror shumë shpesh mund të fshehin një ndikim politik, orientimi seksual, identiteti gjinor, përkatësia kombëtare dhe etnike, qasja politike, janë bazat më të zakonshme mbi të cilat raportohet diskriminimi”, deklaroi Igor Jadrovski – kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Në krahasim me vitin e kaluar komisioni i Antidiskriminimit këtë vit ka vërejtur ulje të diskriminimit në baza etnike dhe kombëtare, por sipas Jadrovskit, është vërejtur rritje e diskriminimit në bazë të orientimit seksual. Gjatë vitit 2023, Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi ka punuar në gjithsej 599 raste kundër diskriminimit, nga të cilat 523 janë hapur në vitin 2023 dhe 76 raste janë transferuar nga viti i kaluar 2022. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 21 Maj, 2024 19:12