Specializantët nuk lëshojnë pe, do të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 21 Maj, 2024 19:10

Specializantët nuk lëshojnë pe, do të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre

Specializantët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre. Për rreth tre muaj ata protestojnë për sigurim shëndetësor, rritje të pagës dhe rregullim të statusit të punësimit. Thonë se çdo të marte do të protestojnë, derisa kërkesat e tyre të plotësohen.

“Ne qëndrojmë te kërkesat tona dhe jemi këtu dhe nuk do të heqim dorë. Kërkesat tona janë që menjëherë në momentin që do të emërohet ministri i ri, të ftohemi në takim ku do të përfaqësohen kërkesat tona dhe do të plotësohen menjëherë. Ato janë, sigurimi shëndetësor, rritja e pagës dhe zgjidhje të statusit tonë për punësim”, deklaroi Dragan Apostollovski, specializant.

Në mbështetje të tyre ka edhe profesorë që punojnë në klinika. Ata thonë se kërkesat e specializantëve janë legjitime.

“Do t’i mbështes kolegët e rinj, si specializant privat prej para 30 vitesh, vlerësoj se të drejtat e tyre janë vërtetë legjitime, njerëzore, secili meriton të ketë më shumë se pagë minimale, meriton sigurim shëndetësorë dhe meriton edukim falas, pasi këta të rinj janë ardhmëria jonë, janë njerëzit që do të na zëvendësojnë në të gjitha qytetet nëpër Maqedoni, e dijmë se kemi mungesë kronike të specialistëve”, tha Lubinka Damjanovska, Kërstiq, profesoreshë në Klinikën e Reumatologjisë.

Rreth 400 specializantë, paraprakisht ishin në grevë dhe nuk u paraqitën aspak në punë. Muajin e kaluar ata u kthyen në vendet e punës me qëllim që të mos pësojnë pacientët, por nënvizuan se me protestat e tyre do të vazhdojnë çdo të martë gjatë kohës së pauzës. Aktualisht ata marrin rreth 26 mijë denarë në muaj, ndërsa kërkojnë që të kenë të ardhura në nivelin e pagës mesatare të mjekëve në institucionet publike shëndetësore. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 21 Maj, 2024 19:10