Kumanovë, uji të mos përdoret për pije

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:03

Kumanovë, uji të mos përdoret për pije

Në mbledhje të jashtëzakonshme, sot shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim në Kumanovë mori vendim me rekomandim për banorët që uji nga NP “Ujësjellësi” të mos përdoret për pije.

Kjo vjen pas reshjeve të mëdha të shiut gjatë ditës së djeshme në territorin e komunës së Kumanovës, me çka ishte vërejtur ndotje e ujit në sistemin e furnizimit me ujë.

Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim sot mbajti mbledhje të jashtëzakonshme dhe kumanovarëve u rekomandoi që të mos pihet uji nga NP “Ujësjellësi”, të përdoret si teknik duke e vluar.

“Problemi kryesor është turbullira e ujit në sistemin e ujësjellësit, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Për të njëjtën arsye, uji në rrjetin e ujësjellësit në Kumanovë është i turbullt. Rekomandim për qytetarët, që ujin ta përdorin si ujë teknik ose të mos e përdorin pa vluar. Rekomandimi mbetet derisa të konstatohet se është i sigurt për t’u pirë”, njoftuan nga shtabi.

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të shtabit komunal për mbrojtje dhe shpëtim morën pjesë përfaqësues nga Komuna e Kumanovës, Këshilli i Komunës së Kumanovës, Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, NP “Ujësjellësi”, NP “Pastërtia dhe gjelbërimi”, SHA Ujësjellësi, Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor dhe Qendra e Shëndetit Publik.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:03