Zeqiri: Numër i vogël tregtarësh keqpërdorin çmimet

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:15

Zeqiri: Numër i vogël tregtarësh keqpërdorin çmimet

Për 122 denarë është ulur shporta e konsumatorë në muajin maj në krahasim me muajin paraprak dhe e njëjta ka arritur në 60.090 denarë, njoftuan ditë më parë nga Lidhja e Sindikatave.

Duke e pasur parasysh se më shumë para apo 21.689 denarë të buxhetit të familjeve harxhohen për ushqim dhe pije, gjatë përllogaritjeve nga Sindikata kanë vërejtur se marzhat të cilat përdoren nga ana e disa tregtarëve lëvizin nga 35-50%, shifër kjo shumë më e lartë sesa e parashikon ligji për praktikat e padrejta tregtare apo deri në 10%. Sipas Durim Zeqirit nga OEMVP-ja, numri i këtyre tregtarëve është i vogël, ndërsa aty ku ka keqpërdorime duhet të reagojnë institucionet dhe shton se shfuqizimi i masës për ngrirjen e çmimeve ka filluar të japë efektin e vet.

“Rënia prej 2 eurove tregon që ndalimi i iniciativave për ngrirje të çmimeve ka dhënë një efekt pozitiv për të mos u rritur çmimet sepse e dimë që shporta konsumatore është rritur në çdo kuartal. Duhet përsëri të identifikohet ku është problemi, ndërkaq në bazë të asaj që neve si Odë Ekonomike e kemi analizuar, vlerësojmë se këtu kemi të bëjmë me një kapacitet të ulët të institucioneve për të kryer detyrën e tyre në terren. Nëse ato marzha të larta qëndrojnë tek disa kompani individuale apo tek disa kompani me numër shumë të vogël, përsëri do të duhej të vijë në shprehje kërkesa dhe oferta, e cila do të duhet të determinojë që t’i ulin ato marzha.”, – deklaroi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Durim Zeqiri.

Prej janarit deri tani, shporta konsumatore është rritur për pothuajse 3 mijë denarë, ndërsa një pjesë e çmimeve të produkteve ushqimore u rritën edhe pas shfuqizimit të masës për ngrirjen e çmimeve. Këto komente u dhanë gjatë Forumit të Filantropisë, projekt i mbështetur nga USAID-i në bashkëpunim me OEMVP-në dhe Odën Ekonomike Amerikanë në Maqedoninë e Veriut.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:15