Fuere: BE me standarde të dyfishta ndaj Maqedonisë

Flaka
Botuar nga Flaka 23 Maj, 2024 14:08

Fuere: BE me standarde të dyfishta ndaj Maqedonisë

Inaugurimi i presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u la në hije nga vendimi i saj për të përdorur fjalën “Maqedoni” në fjalimin e saj, në vend të emrit të ri kushtetues “Republika e Maqedonisë së Veriut”, siç ishte rënë dakord në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë në vitin 2018 për të zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë mes dy vendeve. Ishte për të ardhur keq kur mendon se zgjedhja e saj si presidentja e parë femër pas pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991 në një shoqëri patriarkale që nuk njihet për promovimin e grave në jetën politike ishte një ngjarje e denjë për librat e historisë dhe duhej t’i kushtohej më shumë vëmendje në reagimet të cilat erdhën nga vendet fqinje, BE dhe media ndërkombëtare. Kështu ka deklaruar në intervistën e tij për BIRN, ish ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Erwan Fuere.

Ai thotë se nuk ka ende asgjë që të sugjerojë se as presidenti i zgjedhur dhe as qeveria e ardhshme nuk do të respektojnë Marrëveshjen e Prespës, një dokument ndërkombëtar detyrues që përfshin detyrime nga të dyja palët për ta zbatuar plotësisht atë. “Shumë nga këto detyrime, disa jashtëzakonisht të ndjeshme, si ndryshimi i kushtetutës dhe dokumenteve personale për të përfshirë emrin e ri të vendit, janë zbatuar tashmë nën qeverinë në ikje. Ndërkohë, Greqia ende nuk ka përmbushur anën e saj të pazarit me tre protokolle që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës ende për t’u miratuar në parlamentin e saj. Është për të ardhur keq që në të gjitha deklaratat që kritikojnë presidentin e ri, nuk përmendet vonesa e Greqisë në përmbushjen e detyrimeve të veta. Ky është një shembull tjetër fatkeq i standardeve të dyfishta nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, të cilët harrojnë lehtësisht se ishte vetoja e Francës në 2019 ajo që pengoi hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me BE-në atë vit, pavarësisht angazhimit të përfshirë në Marrëveshjen e Prespës. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, në vitin 2020 Bullgaria vendosi veton e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me kriteret e Kopenhagës dhe më shumë me politikën e brendshme bullgare”, thekson Fuere.

Ai tha se që ky pozicion bullgar u mbështet më vonë nga BE-ja, gjithashtu krijoi precedentin më të keq në politikën e jashtme të BE-së ndaj fqinjit të saj më të afërt. Sipas Fueres, rezultati i këtij precedenti fatkeq është se përpara se të fillojnë negociatat aderuese, kushtetuta e Maqedonisë së Veriut do të duhet të ndryshohet për të përfshirë një referencë për ekzistencën e një pakice bullgare në vend.

“Ndonëse kjo në vetvete nuk duhet të jetë një pengesë e madhe, është mënyra e vendosjes së këtij kushti pa asnjë reciprocitet nga pala bullgare që po shkakton përçarje në shoqërinë maqedonase. Së paku, Bullgaria duhet, në këmbim, të pranojë të zbatojë vendimet e shumta të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke i bërë thirrje Bullgarisë të njohë ekzistencën e një pakice maqedonase në Bullgari. Këto kërkesa bullgare përkeqësojnë tensionet ndëretnike. Komuniteti etnik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili përfaqëson mbi 25 për qind të popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2021, është i kënaqur të pranojë kërkesat e Bullgarisë, sepse ato nuk cenojnë identitetin shqiptar. Por komuniteti maqedonas me shumicë etnike ndihet i indinjuar që edhe një herë identiteti, gjuha dhe historia e tij janë minuar këtë herë nga Bullgaria dhe me pranimin e BE-së”, ka potencuar mes tjerash Erwan Fuere, ish ambasador i BE-së në Shkup. (koha.mk)

Flaka
Botuar nga Flaka 23 Maj, 2024 14:08