Të martën kuvendi i ri, Qeveria Brenda qershorit, kalkulimi me resorët vazhdon

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 24 Maj, 2024 19:28

Të martën kuvendi i ri, Qeveria Brenda qershorit, kalkulimi me resorët vazhdon

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Kuvendi do t’i rikthehet punës. Për ditën e martë, më 28 maj është caktuar seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare.

Njëkohësisht pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Kuvendit, i cili sipas informacioneve jozyrtare të deritanishme, do të jetë kryetari i Alternativës Afrim Gashi. Se bisedimet për formimin e Qeverisë së re janë nga fundi dhe së shpejti do të publikohet edhe marrëveshja me koalicionin VLEN, e kanë konfirmuar edhe vetë funksionarët e VMRO-së, partia e cila nga zgjedhjet e 8 majit, doli si fituese absolute. Nënkryetari i partisë Timço Mucunski një ditë më parë tha se Qeveria e re do formohet deri në fund të qershorit, por nuk zbuloi detaje të tjera. Kurse deputeti Antonio Milloshovski tha se kabineti qeevritar pritet të formohet deri më 20 qershor, duke shtuar se pjesë e Qeverisë përveç VLEN-it mund të jetë edhe Lëvizja ZNAM, e cila ka fituar 6 mandate deputetësh.

Në përbërjen e re parlamentare,  VMRO-DPMNE-së ka 58 deputetë, LSDM do të ketë 18 deputetë, koalicioni i “Frontit Evropian” i udhëhequr nga BDI do të ketë 18 deputetë, koalicioni VLEN do të ketë 14, dhe “E Majta” dhe ZNAM nga gjashtë deputetë.

Jozyrtarisht flitet se nga kulaçi Qeveritarë, për koalicionin VLEN janë ndarë posti i kryetarit të Kuvendit,  zëvendëskryeministri i parë, gjashtë ministri, shtatë zëvendësministra dhe rreth 400 drejtori. Zëvendëskryeministër përflitet Izet Mexhiti, ndërsa ministria e Eurointegrimeve apo zëvendëskryeministri për Eurointegrime do t’i takoj Alternativës. Ky subjekt do të ketë edhe dy zëvendësministra atë të Arsimit dhe të Ministrisë për Marrëdhënie mes bashkësive etnike. Në kuadër të VLEN, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit përveç zëvendëskryeministrit të parë do të ketë edhe Ministrinë e Ekologjisë dhe dy zëvendësministra edhe atë në MPB dhe Transport e Lidhje.

Lëvizja Besa do të ketë dy ministri, atë të Ekonomisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Partia e Bilall Kasamit i cili ka vendosur të mban mandatin e kreut të Tetovës do të ketë zëvendësministër në Kulturë.

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravari do të ketë gjithashtu dy ministri. Ministria e Shëndetësisë dhe një ministri pa resor. Krahu i Taravarit do të ketë edhe zëvendësministër në Mbrojtje dhe Bujqësi. Për Ministër të Shëndetësisë përflitet Arben Taravari, madje edhe ai vetë as nuk e pranoi dhe as mohoi këtë informacion.

/SHENJA/

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 24 Maj, 2024 19:28