“Netët Korçare të Poezisë” mblodhën poetë nga e gjithë bota

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 27 Maj, 2024 20:30

“Netët Korçare të Poezisë” mblodhën poetë nga e gjithë bota

Përfunduan me sukses Netët Korçare të Poezisë 2024, organizuar nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, Korçë. Ky edicion i 28-të shpalli fitues Besnik Mustafajn me çmimin “Kurora e Poezisë”.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, falenderoi poetët pjesëmarrës për emocionet që dhuruan në të dyja netët e eventit dhe e quajti Korçën, “qytetin që frymëzon poetët”.

Kjo ngjarje bashkoi shkrimtarë, poetë dhe adhurues të letërsisë nga vendi dhe bota, në dy netë të mbushura me poezi, muzikë dhe krijimtari frymëzuese. Në këtë edicion të “Netëve Korçare të Poezisë” morën pjesë 33 autorë nga vende të ndryshme të botës.

Poezitë, interpretimet dhe muzika u bënë bashkë për të përcjellë emocione që vetëm arti mundet. Adhuruesit e poezisë përjetuan magjinë e vargut të përzgjedhjeve poetike, në mbrëmjet e mbushura plot emocione, nën çatinë oborrit të shtëpisë muze të piktorit të madh korçar Vangjush Mio.

Prej këtij aktiviteti do të botohet edhe një antologji me poezitë e të gjithë autorëve pjesëmarrës, e cila do të jetë në shqip dhe anglisht.

Tema e këtij viti e netëve të poezisë korçare ishte “Një diell i ri” nga Asdreni, një prej poetëve më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 27 Maj, 2024 20:30