Ende pa vendim për përdorimin e parave të sekuestruara në veri

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 21:31

Ende pa vendim për përdorimin e parave të sekuestruara në veri

Rreth 2.5 milionë euro është vlera e parave në valuta të ndryshme, të cilat i sekuestroi policia, në aksionin ku i mbylli gjashtë filialet e Bankës Postare të Kursimeve, në veri të vendit.

Por ende nuk dihet se çka do të bëhet me to.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar është në pritje të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka një muaj kohë për ta marrë një vendim.

“AAPSK nuk ka pranuar ende vendim nga gjykata lidhur me rastin në fjalë. Pas pranimit të vendimit nga gjykata, do të veprohet në përputhje me ligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar dhe vendimit të gjykatës”, tha Enver Krasniqi, drejtor në APPSK.

Për këtë çështje detaje refuzoi të japë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ktheu përgjigje të martën, nëse janë afër ta marrin një vendim të tillë.

“Gjykata e merr vendim duke e parë relevancën e prokurorit, urdhri ndalues përfshin në mënyrë të detajuar se çfarë do të ndodhë apo se çfarë nuk duhet të ndodhë me atë pasuri”, tha Arbër Jashari, avokat.

Më 20 maj, në komunikatën e policisë u tha që këto para janë konfiskuar si prova materiale.

Mirëpo, avokati Arbër Jashari thotë se ky quhet sekuestrim, meqë konfiskimi nuk mund të ndodhë pa vendim të Gjykatës.

“Me rastin e shqiptimit të aktgjykimit, gjykata merr edhe vendim për konfiskimin e pasurisë ose jo të saj. Nëse merr vendim për konfiskimin e tyre ato mund të shërbejnë për asete shtetërore, ose nëse ka prova të tjera mund edhe të asgjësohen”, tha Jashari.

Për 6 filialet e Bankës Postare Kursimore, institucionet janë duke kryer hetime nën dyshimet për shpëlarje parash.

Aksioni i policisë, të hënën e 20 majit, ndodhi pas përfundimit të periudhës tranzitore për rregulloren për operacione me para të gatshme, e cila parasheh vetëm përdorimin e euros në tërë territorin e Kosovës.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 21:31