“Së shpejti hapen qendrat e emigrantëve”, Meloni i del në mbrojtje Ramës: U sulmua padrejtësisht që kur firmosëm marrëveshjen

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 19:32

“Së shpejti hapen qendrat e emigrantëve”, Meloni i del në mbrojtje Ramës: U sulmua padrejtësisht që kur firmosëm marrëveshjen

Kampet e emigrantëve në Shëngjin do të jenë funksionalë së shpejti, sipas kryeministres italiane Georgia Meloni, sipas së cilës, projekti po ecën me ritme të mira.

Në një intervistë për “In mezz’ora” në  Rai3 të dielën, u shpreh se ky projekt strategjik, “mund të ndryshojë ndjeshëm politikat e menaxhimit të migracionit në BE”.

Meloni nuk kurseu as ironitë për opozitën italiane. “Në fillim na sulmuan sepse sipas tyre, ne po ndërtonim një Guantanamo, dhe tani ata ankohen për vonesat në ndërtimin e Guantanamos”, tha ajo për “In mezz’ora”.

Kryeministrja italiane i doli sërish në mbrojtje homologut të saj, Edi Rama, që sipas saj është sulmuar në mënyrë të padrejtë nga mediat dhe opozita italiane.

“Kënaqësia më e madhe për mua është marrëveshja me Shqipërinë për të menaxhuar atje një pjesë të emigrantëve të paligjshëm që do të donin të vinin në Itali. Kur e shpallëm, shumë njerëz dënuan shkeljen e shtetit ligjor, që e quajtën një qeveri fashiste dhe raciste. Epo, pak ditë më parë, 15 nga 27 vende evropiane nënshkruan një apel drejtuar Komisionit Evropian, i cili ndër të tjera tha se BE duhet të ndjekë modelin italian për marrëveshjen me Shqipërinë. Në përpjekjet për të fundosur çdo përgjigje kundër emigracionit të paligjshëm, Italia po jep shembullin për emigracionin”, tha ajo.

Ndërkohë, në Shëngjin vijojnë punimet për ndërtimin e kampit ku do të strehohen emigrantët, në bazë të marrëveshjes Shqipëri-Itali, të firmosur disa muaj më parë.

Top Channel

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 19:32