Konjufca: Janë zvogëluar shanset për shpërndarjen e Kuvendit

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Maj, 2024 19:36

Konjufca: Janë zvogëluar shanset për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ditëve të fundit janë “zvogëluar shanset për shpërndarjen e Kuvendit”.

Arsye për këtë, sipas tij, është mungesa e konsensusit të partive politike për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të reja.

“Por, nëse nuk arrihet konsensus që të jemi të sigurt që kemi dukshëm mbi numrin 80 dhe jo që të jemi në kufi, sepse mund edhe të mos bëhet shpërndarja e Kuvendit, ju e dini kërkon dy të tretat e votave. Vetëm mazhoranca me PDK-në do të ishin në kufi të këtyre numrave. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar konsensus më të gjerë. Në kampin opozitar nuk ka pasur pajtueshmëri, kështu që unë mendoj që goxha shumë këto ditët e fundit janë zvogëluar shanset që Kuvendi të shpërndahet”, tha Konjufca.

Sipas kryeparlamentarit Konjufca, afati i fundit për të arritur një konsensus mes partive politike për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte java e parë e qershorit.

“Nëse shkon java e parë e qershorit, dhe ne për zgjedhje të jashtëzakonshme do të hynim në javën e parë të korrikut, atëherë nëse kalojnë këta kufij kohorë, ne nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme. Atëherë, mandati do të konsumohet i plotë nga ana e Qeverisë dhe mazhorancës”, tha kryeparlamentari Konjufca gjatë një prononcimi për media më 29 maj.

Mandati i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke e cilësuar atë si të “dëmshme për vendin”.

Subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mbështet shpërndarjen e Kuvendit. Por, dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duan zgjedhje të reja përmes shkarkimit apo dorëheqjes së Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka përjashtuar mundësinë që në zgjedhje të shkohet përmes dorëheqjes së ekzekutivit.

Kryeministri Kurti është shprehur i hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka thënë se do të ishte mirë që zgjedhjet e reja të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Për shpërndarjen e Kuvendit, nevojitet mbledhja e 40 nënshkrimeve për mocionin paraprakisht, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Maj, 2024 19:36