Kurti me liderët nga Lugina e Preshevës në Prishtinë: Të dielën votoni për ndryshimin!

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Maj, 2024 22:31

Kurti me liderët nga Lugina e Preshevës në Prishtinë: Të dielën votoni për ndryshimin!

Me sloganin “Me mendje dhe zemër” sot në Prishtinë u mbajt tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Brenda amfiteatrit ku është mbajtur tubimi janë parë deputetë dhe figura të larta të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë tubim u theksua nevoja për të mbështetur Luginën për t’i tejkaluar pabarazitë që po u bëhen nga shteti serb.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të dielën për ndryshime pasi siç tha ai, nuk ka vendimmarrje, pa pjesëmarrje. Ai tha se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa i përket deklaratave se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai tha se “shkon aty ku e thërrasin”.

Kurti: Shkoj ku më thërrasin

“Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, ajo mbart një trashëgimi të pasur historike e kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor për qytetarët e saj. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të rëndësishme e më të ndjeshme. Në këto vite kemi parë dhe përjetuar shumë sfida nëpër të cilat ka kaluar Lugina. Diskriminimi i vazhdueshëm, mundësi të pabarabarta, mungesa e qasjes në shërbime publike, zhvillimi i dobët, janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët në Luginë përditë. Kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje… Tani me zgjedhjet që po afrohen në Luginë për pushtetin vendor kemi mundësi unike për të çuar përpara këtë bashkëpunim dhe mbështetje, mundësinë për të ndërtuar projekte që zhvillojnë ekonomikisht Luginën, që rrisin mundësitë për të rinj… Këto zgjedhje janë një moment vendimtar politik dhe jo vetëm, kemi nevojë jo thjesht për politikan që bëhen kryetar, por për veprimtarë, intelektualë për të drejtat e njeriut, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Qeveria do të jetë gjithmonë krah tyre duke mbështetur zhvillimin në çdo hap. Më kanë thënë se nuk bënë të marr pjesë vetëm dy kandidatë, unë shkoj aty ku më thërrasin. Unë falënderoj Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafin që më kanë ftuar, aty ku është Lugina bashkë, aty jam edhe unë bashkë me Luginën… Beogradi bën thirrje për bojkot, ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje e kontribut, nuk ka vendimmarrje pa pjesëmarrje, të angazhohemi të dielën për këtë ndryshim ”, ka thënë Kurti, citon gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch

Kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, njëherësh këshilltare e kryeministrit Kurti, ka thënë se është koha të zgjedhin a janë për konformizëm, dhe bashkëpunim me Prishtinën e Tiranën apo për nënshtrim ndaj Beogradit.

Sinani: Duhet të zgjedhim ndërmjet konformizmit dhe nënshtrimit ndaj Beogradit

“Nga sonte deri të dielën shqiptarët e matanë kufirit do të vërshohen me tituj lajmesh kinse ju po ndikoni në përçarje të spektrit politik në Luginë, në fakt e vërteta është se tash e sa vite spektri politik në Luginë është i fragmentarizuar, i ndarë në shumë subjekte politike. Këtë vit, shqiptarët garojnë me gjashtë lista në Preshevë e me katër në Bujanoc. E po ashtu e vërteta është se në raport me atë që bëjnë autoritetet serbe në Beograd, me pakicën serbe të cilët duke i keqpërdorur ata e duke i dërguar edhe deri në aktet terroriste, ju bëni të kundërtën. Qeveria e Kosovës për herë të parë ka linjë të rregullt buxhetore për Luginën, rritje nga 2 në 3 milion euro të fondit për luginën, keni mundësuar sigurimin e librave për shqiptarët… Komuna e Preshevës u kthye në një vend udhëheqës e së cilës shtypjen e diskriminimin permanent të Beogradit ndaj shqiptarëve në heshtje e pohonte si normale e në anën tjetër interesimin e Prishtinës e Tiranës me zë të lartë e buçisnin si përzierje në punët e brendshme të Preshevës, një gjë e tillë nuk guxon të përsëritet. Prandaj, kësaj radhe zgjedhjet lokale në vendin tonë janë të një rëndësie të veçantë, zgjedhje lokale në Luginë të Preshevës, nuk janë vetëm garë janë çdoherë më shumë se politikë, është garë mes koncepteve politike. E jona është të zgjedhim, a jemi për konformizëm, a jemi për nënshtrim ndaj Beogradit, duke shpall të padëshirueshme Kosovën në Luginë, apo për bashkërendim e bashkëpunim me Prishtinën dhe Tiranën”, ka thënë ajo.

Kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, njëherësh këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se do të bëjnë çmos që bashkërisht të ofrojnë një të ardhme çdo shqiptari që jeton në Bujanoc, dhe pabarazitë mes qytetarëve mos të ekzistojnë.

Mustafi: Bashkërisht t’i japim një të ardhme çdo shqiptari në Bujanoc

“Nuk mjafton vetëm mbështetja morale, ne duhet të ndërlidhemi si kurrë më parë, edhe me Kamenicën, Gjilanin e Prishtinën. E ju shqiptarët e Bujanocit që jetoni në Prishtinë e gjithandej, jeni dëshmia më e madhe e kësaj ndërlidhje të pakëputshme të fatit tonë historik, sot ju shqiptarët e Bujanocit mund të shkoni në vatrat e juaja me tabletat RKS, sot ju, mund të shërbeheni me shërbime shëndetësore si të barabartë, e të ngriheni e arsimoheni njëlloj…Do të bëjmë çmos që bashkërisht të japim një të ardhme çdo shqiptari që jeton në Bujanoc, sepse atë që duam për vetën tonë nuk ja mohojmë tjerëve, por edhe atë që japim tjetrit, askush nuk mund të na mohojë edhe neve. Disa këtu çuditen e kundër kandidat kanë filluar të mërziten, për gjithë ata që kam takuar në komunën tonë, e gjithë ata që janë prezent këtu e ndjejnë me zemër dhe kanë ndarë mendjen që prej kohësh, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është kryeministri i Luginës, është kryeministri i çdo shqiptari dhe i Bujanocit. Prandaj, edhe nga këtu, të organizohemi e mobilizohemi të dielën, të besojmë se Bujanoci meriton më shumë, se shqiptarët meritojnë më mirë, të dielën të rrethojnë numrin barazisë, fitores, numrin 9”, tha Mustafi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se synimi i këtij subjekti politik ishte dhe do të jetë ngritja e zërit për të drejtat e shqiptarëve.

Kamberi: Kërkojmë mbështetje nga Kosova

“Synimi jonë si subjekt politik që nga themelimi, ishte ngritja e zërit për të drejtat e shqiptarëve duke u mbështetur gjithmonë dhe duke tentuar të ndërtojmë një bashkëpunim institucional me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe me ndihmën dhe angazhimin e kryeministrit Albin Kurti ia kemi arritur kësaj. Është fakt dhe e qartë se në Serbi kjo punë po i pengon dikujt, por nuk është problem i joni, por i tyre, sepse insistimi jonë do të jetë që niveli jonë i bashkëpunimit me Qeverinë në Prishtinë dhe Tiranë të jetë gjithnjë më i madh, sepse Lugina e Preshevës nuk ka jetë pa mbështetje me Prishtinën. Lugina e Preshevës nuk mund të ekzistojë me një shtet diskriminues, me një shtet mohues të krimeve të luftës, dhe një shtet i cili më së largu në politikën e vet të jashtme e ka interesin për integrim në BE. Prandaj, jemi këtu që të kërkojmë mobilizim edhe nga ju, që jo vetëm për nivelin parlamentar, por edhe për betejat tona lokale të kemi përkrahjen e bashkëvendësve tonë që jetojnë në Kosovë… Por, do të vazhdojmë të insistojmë që ndërtimi i raporteve më të afërta me Kosovën, të jetë gjithnjë e më i shpeshtë, që Republika e Kosovës të jetë sa më prezentë në Luginë të Preshevës, sepse, me Serbinë autokratë të Aleksandar Vuçiqit e kemi vështirë të përballemi vet, prandaj e kërkojmë ndihmën e juaj këtu”, tha ai.

Kamberi po ashtu ka thënë se shpeshherë shtrohen dilemat në Prishtinë se pse kryeministri i Kosovës tenton të ndërtojë lidhje institucionale me bashkëkombësit e vet në Luginë të Prishtinës, por ka thënë se kësaj nuk mund t’i japin përgjigje, pasi siç tha ai, “nuk është e qartë”.

Ndryshe, në Preshevë dhe Bujanoc shqiptarët do të votojnë më 2 qershor për t’i zgjedhur kryetarët e rinj të këtyre dy komunave.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Maj, 2024 22:31