ASHMAA: Asnjë nga redaksitë nuk arriti të përmbushë plotësisht detyrimin e mbulimit të balancuar të procesit zgjedhor

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:07 Përditësuar

ASHMAA: Asnjë nga redaksitë nuk arriti të përmbushë plotësisht detyrimin e mbulimit të balancuar të procesit zgjedhor

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive (ASHMAA) ka publikuar sot raportet për mbulimin mediatik zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare 2024 nga 18 deri më 22 prill dhe nga 25 prill deri më 6 maj dhe për raundin e dytë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale 2024.

Monitorimi përfshiu 10 shërbime programore të televizioneve kombëtare komerciale: TV Alsat-M; Alfa TV; Kanal 5; TV Sitel; TV Telma; TV 21-M; TV Klan Maqedonia; Shenja TV; TV 24 Vesti dhe TV Sonce dhe programet e Shërbimit Publik – MRT 1, MRT 2 dhe kanali i Kuvendit. Shërbimet e tjera programore janë trajtuar në bazë të ankesave.

Objekt i mbikëqyrjes ishte programi i përgjithshëm ditë e natë, nga i cili u analizuan format e përfaqësimit zgjedhor në media. Nga ditarët/lajmet televizive u veçua për analizë edicioni qendror dhe nga vëllimi i përgjithshëm i intervistave dhe debateve të transmetuara u përzgjodhën vetëm ato që përmbajtja kryesore e tyre ishin zgjedhjet presidenciale dhe/ose parlamentare.

Të gjitha televizionet pjesë e monitorimit të pasqyrimit mediatik të raundit të dytë të Zgjedhjeve Presidenciale raportuan në mënyrë të drejtë, të balancuar dhe të paanshme, duke respektuar parimin e barazisë që është detyrim profesional nga Kodi Zgjedhor.

Pasqyrimi i zgjedhjeve parlamentare nga shërbimet televizive u fokusua në informimin për aktivitetet e katër koalicioneve kryesore nga pushteti dhe nga opozita.

Vetëm TV Alsat – M arriti të sigurojë informacione për aktivitetet e të 17 pjesëmarrësve në fushatë. Për shkak të mungesës së stafit primar gazetaresk dhe rrjetit adekuat korrespodent, asnjë nga redaksitë nuk arriti të përmbushë plotësisht detyrimin e mbulimit të balancuar të procesit zgjedhor bazuar në parimin e proporcionalitetit sipas numrit të listave të konfirmuara të kandidatëve për deputetë.

Për këtë gjendje faktike, redaksi të caktuara e kanë informuar ASHMAA edhe para fillimit të fushatës nga procesi i dyfishtë zgjedhor.

Në Servisin Publik u konfirmua edhe një herë se kufizimet në dispozitat e Kodit Zgjedhor për ndarjen e kohës në lajme, nuk garantojnë ekuilibër thelbësor në raportim.

Në përgjithësi, të gjitha mediat e përfshira në analizën e monitorimit përmbushën detyrimin për të bërë përmbajtje të qasshme për personat me aftësi të kufizuara shqisore.

Raportin për përfaqësimin zgjedhor të mediave në raundin e dytë të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Presidenciale 2024 mund ta gjeni në këtë link.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:07 Përditësuar