ISHP: Epidemi e SIDA-s tek një grup i caktuar i popullsisë në vend
Sipas rezultateve të anketës së fundit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj në Shkup, prevalenca e vlerësuar është 5,4 për qind, që do të thotë se në Republikën e Maqedonisë së Veriut për herë të parë regjistrohet një epidemi e koncentruar në një grup të caktuar të popullsisë.
Kështu thuhet në raportin e fundit vjetor të Institutit të Shëndetit Publik për aktivitetet e realizuara në përputhje me programin për mbrojtjen e popullatës nga infeksioni HIV, i përgatitur nga Zharko Karadzovski, Gazmend Ismani dhe Zivadinka Cvetanovska, specialiste për diagnostikimin mikrobiologjik.
Në dokumentin në fjalë thuhet se në vitin 2023 janë pranuar aplikime për 50 persona të sapo-regjistruar me HIV/AIDS në Maqedoni. Numri i rasteve në vitin 2023 është më i lartë për 0,8 për qind krahasuar me vitin 2022, kur ishin regjistruar 42 raste. Ndërkohë krahasuar me mesataren e dhjetë viteve të kaluara (2013-2022), është regjistruar një rritje prej 22 për qind”, thuhet në raport.
Në vitin 2023, nga rastet e regjistruara, 46 ishin meshkuj dhe 4 femra. Mosha mesatare e rasteve të reja është 35 vjeç. 74 për qind e rasteve janë nga mosha 20 deri në 39 vjeç.
“Nga rastet e regjistruara në vitin 2023, shumica prej tyre janë me vendbanim në Shkup, ndërsa 4 raste janë regjistruar në Strumicë. Rastet tjera janë regjistruar si raste sporadike në 18 qytete të tjera”, thuhet në dokument.
Sipas mënyrës së transmetimit, numri më i madh i rasteve (60.5 për qind) janë tek meshkujt që kanë kryer marrëdhënie seksuale me një mashkull, mënyra heteroseksuale e transmetimit është regjistruar në 210 raste dhe personat që injektojnë drogë 1.9 për qind”, thuhet në raport.