Milani çel arkën, synon 4 blerje në merkaton verore

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 20:05

Milani çel arkën, synon 4 blerje në merkaton verore

Buxheti i transferimeve të Milanit për afatin kalimtar të verës 2024 thuhet se do të jetë 100 milionë euro, i cili do të përdoret për të nënshkruar të paktën katër lojtarë.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, trajneri i ri i Milanit, Paulo Fonseka, do të ketë 100 milionë euro në dispozicion për të bërë nënshkrime të reja këtë verë. Të ardhurat nga Liga e Kampionëve dhe shitja e përhershme e Sharll De Ketelare te Atalanta për mbi 20 milionë euro, i kanë lejuar “kuqezinjtë” të ndajnë këtë shumë parash për blerje të reja.

“Gazzetta dello Sport” raporton se kuqezinjtë duhet të nënshkruajnë me një qendërsulmues të ri për të zëvendësuar Olivier Zhiru, plus një qendërmbrojtës, një mbrojtës të djathtë dhe një mesfushor me tipare mbrojtëse.

Xhoshua Zirkzee i Bolonjës është objektivi kryesor në sulm dhe ka një klauzolë lirimi prej 40 milionë euro. Për rolin e mesfushorit mbrojtës, prioritet është Jusuf Fofana i Monakos, i cili do të kushtonte rreth 25 milionë euro. Gazeta italiane shton se Milani i ka vënë sytë te ish-qendërmbrojtësi i Fiorentinës, Igor, tani në Brajton. Braziliani u transferua në Angli për rreth 17 milionë euro verën e kaluar. Emerson Rojal i Totenham Hotspur është kandidati kryesor për rolin e mbrojtësit të djathtë, por “kuqezinjtë” nuk janë të gatshëm të arrijnë çmimin e kërkuar prej 30 milionë eurosh të Spurs dhe shpresojnë që çmimi i mbrojtësit të ulet gjatë verës.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 20:05