RMV, është rritur me 71 përqind numri i personave të infektuar me sifilis, shyta, salmonelë dhe malaria
Vitin e kaluar në Maqedoni janë raportuar gjithsej 12.958 pacientë me sëmundje akute infektive, ndërsa vitin paraprak kjo shifër ishte 7.567. Kjo paraqet një rritje prej 71,2 përqind, sipas raportit të fundit për sëmundjet akute infektive të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.
Numri i rasteve të regjistruara të infeksioneve seksualisht të transmetueshme është rritur me një të tretën në një periudhë prej një viti.
“Nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, vitin e kaluar janë raportuar 60 raste të sifilisit. Në periudhën 2014-2023 janë regjistruar raste individuale deri në vitin 2021 (gjithsej 30). Është regjistruar një rritje prej 2.7 herë krahasuar me një vit më parë, 2022. Gjithashtu, vitin e kaluar ka pasur 8 raste me gonorre. Numri i përgjithshëm i pacientëve, së bashku me rastet me HIV/AIDS është 209 raste. Është regjistruar një rritje prej 30,6 përqind krahasuar me një vit më parë”, thuhet në dokument.
Në raport, epidemiologët iu referuan edhe ndryshimit të klimës dhe ndikimit të tij në përhapjen e sëmundjeve infektive.
“Ndryshimet klimatike ndikojnë shumë në shpërndarjen dhe aktivitetin e vektorëve. Shumë prej këtyre sëmundjeve janë tashmë të pranishme në vendin tonë – sëmundja Lyme, ethet e Nilit Perëndimor, disa ethe hemorragjike, tularemia dhe të tjera si malaria, dengoja, chikungunya dhe shumë të tjera potencialisht mund të futen në vend. Disa prej tyre janë të regjistruara në formë endemike, por jo rrallëherë shfaqen edhe në formë epidemike”, thuhet në raport.
Mjeku Dragan Kocinski nga Instituti i Shëndetit Publik vitin e kaluar paralajmëroi se sëmundjet e transmetuara nga vektorët paraqesin rrezik të madh për shëndetin e njerëzve në mbarë botën.
“Ato shkaktohen nga parazitët, viruset dhe bakteret e bartura nga mushkonjat, mizat e rërës, insektet, mizat e zeza, rriqrat, kërmijtë dhe morrat. Sëmundjet më të përhapura të transmetuara nga vektorët tek njerëzit janë malaria, dengoja, filariaza limfatike, shistozomiaza, chikungunya, onkocerciaza, sëmundja Chagas, leishmanioza, infeksioni me virusin Zika, ethet e verdha dhe encefaliti japonez”, tha ai në intervistë.
Në raportin për sëmundjet akute infektive, për sa i përket vdekshmërisë prej tyre, shkruhet se vitin e kaluar janë regjistruar 9 vdekje të shoqëruara me sëmundje akute infektive, pra 4 persona kanë vdekur nga meningjiti bakterial, 2 persona me hepatit B viral dhe nga një person me listeriozë me ethe hemorragjike me sindromën renale dhe me ethe hemorragjike kongo-krime.
Dokumenti rendit rekomandimet dhe masat që duhen marrë për të rritur mbrojtjen ndaj sëmundjeve akute infektive.
“Departamenti i Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive në Ministrinë e Shëndetësisë rekomandon përshpejtimin e procedurës për ndryshime në Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive. Me këto ndryshime do të vihet në funksion sistemi elektronik i mbikëqyrjes së sëmundjeve infektive, duke përfshirë edhe klasifikimin e sëmundjeve në përputhje me përcaktimin e rastit, lista e sëmundjeve infektive nën mbikëqyrje do të harmonizohet me listën e BE-së, do të vihet në funksion sistemi elektronik ALERT 2, si dhe lista e patogjenëve nën mbikëqyrje do të përshtatet me listën e BE-së. Është e nevojshme përshtatja e Rregullores për regjistrimin, sipas ndryshimeve ligjore”, thuhet në dokument.
Gjithashtu, sipas epidemiologëve, është e nevojshme përgatitja e një programi për zoonoza dhe sëmundjet e transmetuara nga vektorët me qasjen shumësektoriale “Një shëndet” me përfshirjen e të gjithë aktorëve përkatës për parandalimin dhe kontrollin e këtyre sëmundjeve.
“Është e nevojshme përmirësimi i situatës me imunizimin e detyrueshëm dhe reduktimi i numrit të personave që vuajnë nga sëmundje të parandalueshme me vaksina. Rritja e numrit të fëmijëve të pavaksinuar (ulja e mbulimit me imunizimin e detyrueshëm), fushatat kundër vaksinimit, por edhe hezitimi i prindërve për imunizimin çojnë në rishfaqjen e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina në Maqedoni”, thuhet në raport.
Në këtë drejtim, epidemiologët paralajmërojnë se nevojiten aktivitete për promovimin e vaksinimit dhe përfitimeve të vaksinimit tek popullata, por edhe te punonjësit e shëndetësisë.