RMV, në vend të parave në buxhet, para nga buxheti për zyrtarët e akuzuar

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:43

RMV, në vend të parave në buxhet, para nga buxheti për zyrtarët e akuzuar

“Ligjet janë si salsiçet. Më mirë të mos e dini se si bëhen“. Kjo thënie, e cila i atribuohet politikanit gjerman të shekullit XIX, Otto Von Bismarck, dy shekuj më vonë po përmendet shpesh kur flitet për marrëveshje joparimore politike dhe zgjidhje të dyshimta ligjore. Ndoshta qytetarët jo gjithmonë e kanë plotësisht të qartë se çfarë “futet” në ligje, por “kuzhinierët” kryesorë në kuzhinat politike e dinë shumë mirë. E kanë ditur edhe deputetët e Maqedonisë, të cilët në shtator të vitit të kaluar i votuan ndryshimet në Kodin Penal, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Me to u vjetruan pothuajse të gjitha lëndët e ish Prokurorisë Publike Speciale dhe rastet e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, disa në shkallë të parë, disa në fazën e gjykimit, e të tjera, siç është një pjesë e lëndës për Shkupi 2014 – “Feniks“dhe në procedurë hetimore.

Menjëherë filluan të grumbullohen shpenzimet, ato që i kanë bërë të pandehurit gjatë paraqitjeve të tyre në gjykata. Këto shpenzime paguhen nga qytetarët nga buxheti, edhe pse në ndryshimet ligjore thuhej se nuk do të kenë ndikim financiar në buxhet.

BIRN analizoi katër raste të profilit të lartë, faturat për arkëtimit e të cilave u dorëzuan të parat nga të pandehurit.

Në të gjitha ato, sipas akuzave, buxheti i shtetit është dëmtuar për pothuajse 160 milionë euro. Por për shkak të vjetërimit,  në gjykatë asnjëherë nuk do të vërtetohet se ai dëm është bërë dhe ato mjete nuk do të kthehen në buxhet.

Për këtë arsye qytetarët vetëm për ato katër lëndë të pandehurve do ju paguajnë më shumë se 250 mijë euro për shpenzime gjyqësore.

Pjesa më e madhe e tyre janë paguar për lëndën “Trajektorja” të PSP-së.

Në vend të milionave në buxhet, me mijëra euro nga buxheti

Trajektorja

Dëm ndaj buxhetit: 155 milionë euro

Shpenzime gjyqësore: 145 mijë euro

Magjar Telekom

Dëm ndaj buxhetit: 1 milionë euro

Shpenzime gjyqësore: 69 mijë euro

Teofillovski dhe të pandehur të tjerë

Dëm ndaj buxhetit: 860 mijë euro

Shpenzime gjyqësore: 25 mijë euro

Pacienti

Dëm ndaj buxhetit: 11 mijë euro

Shpenzime gjyqësore: 15,5 mijë euro

Në vend që në buxhet të ktheheshin 155 milionë euro, sa ishte dëmi i vlerësuar në rastin e ndërtimit e të ashtuquajturës autostrada kineze në lëndën “Trajektorja”, qytetarët do u paguajnë të pandehurve pothuajse 145 mijë euro për shpenzime gjyqësore.

Pothuajse 500.000 euro janë kërkuar për shpenzimet gjyqësore për përfaqësimin e të pandehurve Vlladimir Peshevski, Mile Janakieski dhe Ljupço Georgievski.

Avokatët ish-zyrtarët e akuzuar i kanë përfaqësuar në 74 seanca, kanë hartuar ankesa, parashtresa të ndryshme dhe përfaqësime para gjykatës…

Gjyqtarët nuk ua kanë pranuar të gjitha. Disa seanca nuk janë mbajtur, shpenzime të caktuara që të pandehurit i kanë raportuar, si hartimi i listës së provave, nuk janë pranuar sepse gjykatësit kanë vlerësuar se nuk kanë qenë të nevojshme.

(Në mënyrë drastike u ulën dënimet për tre veprat penale si shpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar, puna e pandërgjegjshme në shërbim dhe bashkimi kriminal. Para ndryshimeve ligjore, për shpërdorim të pozitës zyrtare ku ka dëmtim të buxhetit, vepra vjetërohej për 40 vjet, ndërsa pas ndryshimeve ai nen është fshirë.)

Të pandehurit nuk kanë qenë të kënaqur me vendimin, prandaj kanë dorëzuar ankesë, me të cilin u janë mohuar shumat më të larta që i kanë kërkuar për shpenzime.

Në fund, gjykatësit Ivan Xholev, Sofçe Gavrillova Efremova dhe Lenka Davitkova kanë marrë vendim se shuma e përgjithshme për të tre të pandehurit është 144.819 euro.

Rreth 9.300 euro nga gjykata për përfaqësim dhe parashtresa ka kërkuar edhe avokati i Nikolla Gruevskit, Elenko Millanov.

Por gjykata e ka refuzuar kërkesën për shpenzimet si të papranueshme, pasi nuk ka pasur autorizim. Millanov e ka apeluar vendimin, me arsyetimin se ai e ka përfaqësuar Gruevskin me autorizim në vitin 2017 dhe në vitin 2018.

Në fund vendimi se atij nuk i takojnë para u bë i formës së prerë.

Në gjykatë arritën edhe faturat për shpenzimet për lëndën për përgjimet masive “Таrget“, por për shkak të ankimimeve ato tani ndodhen në Gjykatën e Apelit. Duke marrë parasysh kohëzgjatjen e procesit, shumat e kërkuara nuk do të jenë të vogla. Avokati i Sasho Mijallkovit nga gjykata ka kërkuar 86 mijë euro vetëm se e ka vizituar klientin e tij 32 herë në burg. Këto janë para të cilat ai i kërkon vetëm për vizitat, pa përfshirë këtu përfaqësimet në gjykatë dhe parashtresat.

Pothuajse 70 mijë euro për ish-drejtorët e “Magjar Telekom”

Në rastin „Маgjar Telekom,“ gjykatësja Lenka Davitkova i shpalli fajtorë tre të pandehurit, ish-drejtorët e kompanisë, Eleg Straub, András Balog dhe Tamas Morvai. Në aktgjykim thuhej se ata bashkërisht në buxhet duhet të kthejnë mbi 1 milion euro.

Por nga këto para në buxhet nuk do të kthehet as edhe një qindarkë. Përkundrazi. Buxheti do ua rimbursojë shpenzimet gjyqësore.

Kur lënda arriti para gjykatësve të apelit ndryshimet në Kodin Penal tashmë ishin miratuar, të cilat shkurtuan periudhën e vjetërimin për veprën e punës së papërgjegjshme në shërbim, për të cilën akuzoheshin të pandehurit.

Gjykata e Apelit vetëm konstatoi vjetërsimin e lëndës.

Më pas tre avokatët së bashku kanë kërkuar rreth 250 mijë euro për shpenzime gjyqësore. Gjykata u caktoi pak më shumë se 69 mijë euro.

Avokatët kërkuan para për shpenzime për shkak se 72 herë janë paraqitur para gjykatës, por atyre iu pranuan shpenzime për 39 seanca. Arsyetimi i gjykatësve ishte se ata kanë kërkuar shpenzime për seanca që janë shtyrë me kërkesë të tyre. Ata kanë kërkuar para edhe për ekspertizë, e cila nuk ka qenë e prezanuar si dëshmi në gjykatë, kështu që për atë nuk iu ndanë para.

Ndërsa në lëndën “Teofillovski”, për gjykatësin Zoran Teofillovski dhe për gjashtë persona të tjerë, prokuroria pretendonte se shteti është dëmtuar për 860 mijë euro për privatizimin e paligjshëm dhe legalizimin e tokës atraktive në Tetovë.

Për shkak të vjetërimit të lëndës shtatë të pandehurve do t’u paguhen shpenzimet e përgjithshme gjyqësore në vlerë prej mbi 25 mijë euro.

Në lëndën “Pacienti” të PSP-së, për realizimin e punëve ndërtimore dhe artizanale në disa spitale të vendit, 14 të pandehurve do ju paguhen pak më shumë se 15 mijë euro për ekspertizë, përfaqësim në gjykatë dhe prokurori dhe për shpenzime të tjera gjyqësore.

Njëri nga të pandehurit, i cili ishte nga Zagrebi, kërkoi t’i paguhen shpenzimet e bëra për akomodim dhe për biletat e avionit.

Përllogaritjet e komplikuara – dhimbje koke për gjykatësit

“Kjo është pjesa më e vështirë e punës tonë,” tha një gjykatës për BIRN, duke sqaruar se për shkak të natyrës së punës së tyre, për ta është më e lehtë të japin një vendim për paraburgimin sesa të marrin një vendim për shpenzimet gjyqësore.

Por, duan apo nuk duan, përveçse të gjykojnë shpesh detyrohen t’i bëjnë edhe këto përllogaritje.

Kur një lëndë vjetërohet, ose dikush shpallet i pafajshëm dhe kur pranojnë një kërkesë për pagesën e shpenzimeve të avokatit, ata ulen dhe me një kalkulator llogarisin lëndë pas lënde, seancë pas seance, parashtresë pas parashtrese, se sa do të kushtojë e gjitha.

Në dosjet e lëndëve janë të shënuara datat e të gjitha seancave të mbajtura, dhe me stilolaps janë shënuar të gjitha seancat e mbajtura dhe ato që janë shtyrë.

Shifra, përqindje dhe shuma. Avokatët gjithmonë kërkojnë më shumë, ndërsa gjykatësit u japin më pak.

Ata vlerësojnë nëse seancat janë mbajtur apo janë shtyrë, nëse në gjykatë janë sjellë prova të caktuara…

Të dhënat që BIRN mori nga Gjykata Penale tregojnë se shpenzimet e para për rastet e vjetruara të krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kompensuar dy javë pas ndryshimeve ligjore në Kodin Penal.

Më 15 shtator ndryshimet u publikuan në Gazetën Zyrtare ndërsa më 29 shtator për lëndën për gjykatësin Zoran Teofillovski dhe gjashtë të tjerë të akuzuarit për legalizim të paligjshëm të një objekti, në vend të aktgjykimit morën vendim për rimbursim të shpenzimeve gjyqësore.

Nga muaji shtator deri në muajin mars, në Gjykatën Penale janë vjetëruar mbi 20 lëndë me mbi 130 të pandehur. Për disa raste ende ka gjykime, në të cilat të pandehurit gjykohen edhe për krime të tjera.

Sa i përket Gjykatës së Apelit në Shkup për të njëjtën periudhë janë vjetëruar 26 lëndë për 73 të pandehur.

Lëndë të vjetëruara nga muaji shtator i vitit 2023 deri në muajin mars të vitit 2024 në Gjykatën e Apelit në Shkup

Muaji     Numri i lëndëve     Numri i të pandehurve

Shtator, 2023

Tetor, 2023

Nëntor, 2023

Dhjetor, 2023

Janar, 2024

Shkurt, 2024

Mars, 2024

Gjithsej: 26     Gjithsej: 73

Vepra penale të vjetëruara për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, punë të papërgjegjshme në shërbim dhe bashkim kriminal

Në ndërkohë ndryshimet në Kodin Penal reflektojnë edhe punën e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila në gjashtë muajt e fundit ka punuar kryesisht në rastet e trafikimit të emigrantëve dhe prodhimit të paautorizuar të drogës.

Pas ndryshimeve në Kodin Penal që u bënë në muajin shtator, deri në mars të këtij viti nuk ka pasur asnjë hetim për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:43