Çka parashikon deklarata e miratuar nga Fronti Europian

Flaka
Botuar nga Flaka 2 Qershor, 2024 14:27 Përditësuar

Çka parashikon deklarata e miratuar nga Fronti Europian

VIDEO | Sot në Tetovë, të gjitha organet partiake, por edhe përfaqësuese në pushtetin qëndror, legjislativ dhe lokal, të partive politike që janë pjesë e Frontit Europian, njëzëri miratuan dhe më pas edhe firmosen, deklaratën politike mbi legjitimitetin etnik zgjedhor. 

DEKLARATË POLITIKE   

Marrëveshja Paqësore e Ohrit, e firmosur nga të gjitha forcat politike relevante në vend, e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në parimet themelore thekson që:  

 “Një shtet modern demokratik, në rrjedhën e vet të natyrshme të zhvillimit dhe maturimit, duhet vazhdimisht të sigurojë që Kushtetuta e vet të plotësojë tërësisht nevojat e të gjithë qytetarëve të vet dhe të përputhet me standardet më të larta ndërkombëtare, si dhe vetë të mbindërtohet vazhdimisht.”   

Prandaj, ne, të poshtënënshkruarit: 

Ritheksojmë kursin tonë Euro-Atlantik si alternativë e vetme për të ardhmën e përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe angazhimin tonë për zbatim të plotë të normave dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe atë për fqinjësi të mirë dhe mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura me fqinjtë si parakusht për të vijuar rrugën europiane,   Konstatojmë patjetërsinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përsërisim që partnerët koalicionues qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitim të komuniteteve tjera të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, e drejtë kjo zakonore e zbatuar në vendin tonë që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje.

Prandaj, demokracia në vendin tonë mund të jetë funksionale dhe e qëndrueshme vetëm atëherë kur komuniteti shumicë respekton përfaqësuesit legjitim të vullnetit politik të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të komuniteteve tjera.   

Demokracia konsensuale në vendin tonë nënkupton organizim të komuniteteve në parti politike dhe pjesëmarrje në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombasve të tyre dhe ky vullnet i komuniteteve tona, rrjedhimisht, patjetërsisht duhet të respektohet nga mandatari.  

Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërësim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve.  

Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkarisht.   

Ne, forcat vendore dhe komuniteti ndërkombëtar, garantues i Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues i Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojmë kthim prapa, zhbërje të të arriturave të deritanishme të përbashkëta dhe duhet të pamundësojmë përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit sepse të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për paqën, sigurinë, stabilitetin e vendit dhe rajonit tonë..”, thuhet në tekstin e Deklaratës Politike të Frontit Europian.

Flaka
Botuar nga Flaka 2 Qershor, 2024 14:27 Përditësuar